1. Lajme
  2. MAQEDONI
  3. Numri i përgjithshëm i të dyshuarve për zjarrin në Koçan deri tani është 34 persona

Numri i përgjithshëm i të dyshuarve për zjarrin në Koçan deri tani është 34 persona

featured

Me përfundimin e hetimit do të sqarohen të gjitha rrethanat dhe faktet për arsyen e zjarrit, kush e shkaktoi, mënyrën e ndezjes dhe me cilin mjet piroteknik, deklaroi prokurori Ljupço Kocevski.

Këtë e theksoi Kocevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve sot në një konferencë për media ku njoftoi se është hapur hetim ndaj 27 personave fizikë dhe tre personave juridikë për zjarrin në diskotekën Pulse në Koçan.

Me këtë, për zjarrin në të cilin humbën jetën 59 persona, ndër të cilët gjashtë fëmijë, numri i përgjithshëm i të dyshuarve është 34 persona, pasi dje Prokuroria Publike ka hapur hetime kundër shtatë zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor Shtip dhe Stacioni Policor i Koçanit.

Personat, siç informoi Kocevski, dyshohen për një vepër penale për të cilën është paraparë dënimi prej së paku tre vjet, që do të thotë se dënimi maksimal është 20 vjet.

“Ky është vetëm fillimi i hetimeve dhe po zhvillohet një procedurë e gjerë hetimore, në kuadër të së cilës do të duhet të mblidhen një sasi e madhe provash dhe të kryhen veprimet hetimore. Unë premtova se hetimet do të jenë të shpejta dhe efikase, andaj apeloj që të gjithë të jenë të përmbajtur dhe të qetë, duke u dhënë në këtë mënyrë organeve hetuese hapësirë ​​që hetimet ta përfundojnë në mënyrë cilësore – tha Kocevski.

I pyetur nëse hetimi ka konstatuar se në objekt po shitej lëndë narkotike, Kocevski tha se për momentin nuk mund të japë detaje.

Për sasinë e ryshfetit, Kocevski tha se do të jetë pjesë e procedurës hetimore.

I pyetur nëse tashmë janë siguruar dëshmitarë apo bashkëpunëtorë të drejtësisë, Kocevski tha deri më tani dhe i bëri thirrje të gjithëve që mund të kenë prova të raportojnë në Prokurorinë Publike.

– Për momentin nuk kemi bashkëpunëtor të drejtësisë në këtë fazë të procedurës. Mirëpo, apeloj që të gjithë qytetarët nëse kanë prova apo kanë qenë dëshmitarë okularë të lajmërohen në Prokurorinë Publike dhe të japin deklaratë – tha Kocevski.

Prokuroria Publike e Koçanit, më herët gjatë ditës së sotme ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 27 personave fizik dhe tre personave juridikë për të cilët ekziston dyshimi se si bashkëkryetarë kanë kryer vepra të rënda penale kundër sigurisë publike. Të gjithë janë të siguruar dhe Prokuroria Publike e Koçanit kërkon masën e paraburgimit, me përjashtim të tre personave të shtruar në spital.

Numri i përgjithshëm i të dyshuarve për zjarrin në Koçan deri tani është 34 persona
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.