Nga Blerim Shala
Jetofsh në kohëra interesante.
Kjo thënie ka rrënjë kineze, edhe pse në të vërtetë, këtë formë më të përgjithësuar, duket që e ka marrë në Shekullin XX, prej interpretuesve të traditës kineze.
Natyrisht, kohërat interesante këtu kanë domethënien e periudhave politike dhe shoqërore ku mbizotërojnë kthesat e mëdha, ku shënohen thyerjet dhe telashet e jashtëzakonshme, ku mund të ndodhin, madje, edhe përmbysjet.
Thuaja i gjithë Qindvjeçari i kaluar ishte i këtillë. Qindvjeçari i njohur kudo si Shekulli Amerikan. Edhe për fatin tonë të madh, në fundin e tij, atje të vitin 1999.
Por, në këtë çerekun e parë të këtij Shekulli XXI, ajo thënia e vjetër kineze duket se ka përjetuar shkëlqimin e vet më të madh të mundshëm.
Ishin këto njëzetepesë vitet të cilat kanë sjellë aq shumë ndryshime (të shumtat, për të keq), të cilat nuk kanë mundur të imagjinohen dot atje në fillimet e këtij shekulli, që si datë fillestare e ka 11 shtatorin e vitit 2001.
Kjo datë ka siguruar mbamendjen e përhershme në politikën dhe historinë e re, ama këtu mund të thuhet pa gabuar aspak që pakkush sot e kujton 11 shtatorin e vitit 2001. Kemi të bëjmë me vetëm 24 vjet kohë dhe rrjedhë historike, por ta merr mendja, që kjo ka ndodhë diku 240 vjet më parë. Atëherë kanë qenë rrethana krejtësisht të tjera ndërkombëtare, me një Amerikë të prirë nga George W. Bush, e cila asokohe ishte në pikën më të lartë të ndikimit të saj në Botë (‘kah shkojmë ne, historia ecë me ne, apo ne e bëjmë historinë’, pati thënë asokohe një oficer amerikan, që do të thotë se historia ishte ‘Made in America’), me një Rusi dhe Kinë larg forcës dhe ndikimit të sotëm, me një Bashkim Evropian politikisht shumë më të qëndrueshëm dhe më me ndikim se ky i sotmi, me një demokraci liberale që si dukuri ishte në një marshim e sipër në të katër anët e Botës.
Dukej pra që koha e jonë në të cilën jetojmë të gjithë ne, do të jetë larg, shumë larg asaj porosie nga fillimi i këtij shkrimi. Madje, atje fare në fillim të këtij shekulli, kishte mendimtar të njohur perëndimor që parathonin një epokë të mërzitshme pa lëkundje dhe tronditje të mëdha.
Sa i gabuar ishte ky paralajmërim. Këtë e dimë të gjithë ne.
Duket që prej 24 shkurtit të vitit 2022 e këndej (kur Rusia nisi agresionin mbi Ukrainën), po jetojmë në vitet dhe kohërat kur janë ri-kthyer ato epokat historike të dy shekujve paraprak të cilat tashmë ishin të arkivuara, me bindjen e shumëkujt që ato nuk do të kthehen më.
Kështu, këtupari kemi atë epokën e luftërave për marrjen e territoreve të huaja, të cilat iu qepën dobësimit të madh të Perandorisë Osmane, pastaj, kemi atë epokën e baraspeshës së fuqive të mëdha, kemi madje edhe një lloj të Luftës së Ftohtë 2.0, etj.etj.
Në përgjithësi pra, jemi dëshmitar të ndërmarrjes së shteteve më të fuqishme në Botën e sotme, për ta bërë një Rend të ri ndërkombëtar, sepse ai i kaluari, ashtu siç kemi marrë vesh të gjithë ne, u shemb tok me bombat dhe raketat e para ruse që ranë në Ukrainë.
Megjithatë, dhe këtë po e shohim përditë e më shumë, duket se ndryshimet kanë marrë një dinamikë krejtësisht të re pasi Donald Trump u betua si Presidenti i 47-të në historinë e Republikës amerikane.
Dikush mund të thotë që thuaja të gjitha këto lëvizje dhe veprime të tij kanë qenë të paralajmëruara prej vet atij dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë, që nga nëntori i vitit të kaluar kur doli fitues në zgjedhjet presidenciale.
Saktë.
Ama megjithatë, kur ato tani morën trajtën e vendimeve dhe nismave konkrete, ato sërish na u shfaqën në trajtë të befasive apo të gjërave të cilat askush nuk ka mundur t’i parashikojë.
Gjithë ky Cunami politik dhe diplomatik amerikan, sidoqoftë, është vetëm në fillimet e tij.
Si thuhet me atë fjalorin televiziv, ‘Ne ende gjë nuk kemi parë’.
Janë këto ditët, javët dhe muajt të cilët do të sjellin ndryshime të mëdha në Evropë, para se të gjithash.
Me siguri, Evropa nuk do të jetë më ajo që ishte. Ajo Evropë ka perënduar. Një herë e mirë.