Partitë brenda Frontit Evropian do të dalin me lista të përbashkëta në zgjedhjet lokale, duke përjashtuar mundësinë për koalicionime me LSDM-në.
Arbër Ademi thotë se Fronti do të vazhdojë partneritetin e vetëm me qytetarët. Ndërkohë ka komentuar edhe veprimet e oponentëve të tyre, koalicionit VLEN për zgjedhjet lokale.
“Me 1% mbështetje në popull mund të bëheni vetëm 100% vazal. Ata e dinë se asnjë betejë nuk do të mund ta fitojnë qoftë vetë, qoftë edhe si koalicion VLEN. Prandaj, shpëtimin e shohin jo te mbështetja popullore, por tek akrobacionet dhe matematikat tjera, të cilat kanë devijuar dhe do të tentojnë ta devijojnë vullnetin e qartë të qytetarëve, por asnjë skenar i tillë nuk do t’i shpëtojë. Qytetarët do të japin qartë verdiktin e tyre.”, – deklaroi Arbër Ademi nga Fronti Evropian.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në pyetjen se a do të koalicionin me BDI-në, tha se aktualisht janë të fokusuar në përzgjedhjen e kandidatëve të tyre.
“Ne jemi plotësisht të fokusuar në identifikimin e kuadrit më të mirë, të cilët do të na përfaqësojnë në zgjedhjet lokale, dhe po nisim një proces ku koalicionimin e vendosim në bazë të karakteristikave në secilën komunë.”, – theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Sa i përket procesit eurointegrues, opozita i bën thirrje pushtetit të nisë bisedimet me Bullgarinë.
“Lidershipi dhe të gjitha institucionet e RMV-së duhet të përmbushin detyrimet, të cilat janë qartë të definuara në kornizën negociuese. Ashtu që nuk duhet të humbim kohë dhe duhet të sigurojmë një orë e më përpara perspektivën evropiane për të gjithë qytetarët.”, – u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Ne tani presim që Qeveria të realizojë premtimet parazgjedhore se do të sigurojnë pozicion më të mirë negociues, do të ndryshojnë kornizën negociuese. Ne do të mbështesim çfarëdo propozimi më të mirë, i cili do të vihet në tavolinë.”, – deklaroi Arbër Ademi nga Fronti Evropian.
Filipçe ripërsërit idenë për një seancë parlamentare, në të cilën të gjitha partitë parlamentare do të bisedonin për këtë proces, pasi Maqedonia e Veriut po lihet mbrapa, jo vetëm nga Shqipëria, madje edhe nga Mali i Zi.