Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Poloni për të marrë pjesë, krahas liderëve botërorë, në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist gjerman të përqendrimit dhe shfarosjes Aushvic.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, gjatë ceremonisë, në përkujtim të viktimave të Holokaustit, me pjesëmarrësit do të ndahen rrëfimet prekëse të dy të mbijetuarve nga kampi i Aushvicit, duke rikujtuar një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore.
Aushvici është simbol i Holokaustit dhe mizorive të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara shpallën 27 janarin Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, për t`i kujtuar viktimat dhe për ta nxitur botën që të angazhohet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e tmerreve të tilla.