1. Lajme
  2. MAQEDONI
  3. Partitë me akuza për kapje të gjyqësorit

Partitë me akuza për kapje të gjyqësorit

featured

Partitë politike shqiptare shkëmbejnë akuza në lidhje me atë se kush e ka kapur gjyqësorin. VLEN-i akuzon BDI-në si fajtore për lirimin e parakohshëm të ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov.

Sipas VLEN-it, raporti i drejtorit të burgut të Strugës, Valon Qira, në të cilin u potenconte se sjellja e Mijallkovit është shembullore dhe se ka respektuar të gjitha rregullat e shkruara ligjore, i ka dhënë shkas Gjykatës së Apelit që të lirojë para kohe Mijallkovin.

“Gjykata e Apelit duke u bazuar në raportin e drejtorit të burgut ka vendosur për lirimin e Mijallkovit shtatë muaj para përfundimit të dënimit të tij dhe kjo është arsyeja se përse ai sot gjendet në Monako me Ferrari. Ky vendim është një shembull i qartë i keqpërdorimit të sistemit të drejtësisë dhe institucioneve për interesa politike, por njëherit e dëshmojnë edhe më shumë koalicionin Ali Ahmeti, Artan Grubi, Enver Bexheti dhe Sasho Mijallkov.”, – deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.

Nga ana tjetër, BDI-ja akuzon koalicionin VLEN për kapje dhe partizim të gjyqësorit. Sipas BDI-së, VLEN-i është në shërbim të agjendave të VMRO-DPMNE-së dhe vendimet e fundit të gjykatave për lirimin e disa rasteve të rëndësishme gjyqësore të lidhura me pushtetin nuk janë të rastësishme.

“Ashtu siç VLEN-i që u krijua për të shërbyer një agjende të caktuar politike, për të dobësuar shqiptarët dhe për të devijuar rrugën euroatlantike të vendit, tani po përdoret gjyqësori për të zhbërë vendimet e mëparshme dhe për të favorizuar individë të lidhur me pushtetin. BDI-ja nuk do të qëndrojë indiferente ndaj këtij procesi të rrezikshëm. Kapja e institucioneve nga individë të instaluar politikisht nuk është vetëm një kërcënim për drejtësinë, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për qytetarët në Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën evropiane të vendit.”, theksojnë nga BDI.

Nga partia e Ahmetit, madje, kërkojnë reagim edhe nga faktori ndërkombëtar.

Partitë me akuza për kapje të gjyqësorit
|