1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Milanoviq: Të gjitha vendet e BE-së duhet ta njohin Kosovën

Milanoviq: Të gjitha vendet e BE-së duhet ta njohin Kosovën

featured

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka theksuar rëndësinë që të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë hap.

Këto deklarata u bënë gjatë një takimi zyrtar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të premten në Kroaci, sipas njoftimit të zyrës së presidentit kroat.

Milanoviq ka shtuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për njohjen ndërkombëtare të plotë dhe veçanërisht për njohjen nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Aktualisht, nga 27 vendet anëtare të BE-së, pesë prej tyre – Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Të gjitha kushtet për shtetësi dhe njohje të plotë ndërkombëtare të Kosovës janë plotësuar dhe veçanërisht Kosova duhet të njihet nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka thënë Milanoviq.

Presidenti kroat ka ritheksuar mbështetjen e fortë të Kroacisë për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në organizatat ndërkombëtare dhe ka theksuar se Kroacia do të vazhdojë ta përkrahë fuqishëm këtë proces.

Gjithashtu, Milanoviq ka nënvizuar rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kjo do të kontribuonte në stabilitetin e Evropës Juglindore, i cili përbën edhe një interes kombëtar për Kroacinë.

Gjatë vizitës së tij në Kroaci, Kurti është takuar edhe me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, dhe kryeparlamentarin Gordan Jandrokoviq.

Milanoviq: Të gjitha vendet e BE-së duhet ta njohin Kosovën
|