Pavarësisht se BDI shpalli njoftimin se e respekton vendimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, nuk ka bërë asnjë hap për ta demonstruar këtë, duke mos marrë asnjë veprim për të larguar funksionarët e saj që u gjetën në listën e zezë të SHBA-ve. Kështu ndodhi vitin e kaluar me kryetarin e Strugës, Ramiz Merko dhe këtë herë edhe me Artan Grubin, shkruan PressOnline.al
Ndërkohë që partia nga Reçica e Vogël nuk ka bërë asnjë veprim për të treguar nëse dhe si është e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, përveç fjalëve, dhe veçanërisht kur janë të përfshirë funksionarët e saj, vetë Artan Grubi u deklarua. Siç theksoi ai, mori “një vendim personal në shërbim të interesit të përgjithshëm” dhe njoftoi se ka vendosur të tërhiqet nga jeta publike.
Për të mos qenë një barrë politike
Grubi në shpjegimin e tij thekson se gjithë jeta e tij publike ka qenë e dedikuar pa kompromise për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për një rajon në paqe, për integrimin e plotë në NATO, për partneritet strategjik me SHBA dhe për anëtarësim në BE.
“Fakti që sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-së dhe ka nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian është dëshmi e qartë e këtij bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët.Por, çmimi i këtij angazhimi, një çmim që ka qenë gjithmonë në shërbim të vlerave dhe të drejtës, ka qenë i rëndë për mua dhe për familjen time. Sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta, më kanë bërë të reflektoj për rolin tim në këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe për të ardhmen e tij“, thotë Grubi, përcjell PressOnline.al
Ish Zëvendëskryeministri i parë për veten thotë se është “i pastër si loti“.
“Edhe pse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë“, shpjegon Grubi.
Këtë „vendim të vështirë“ ai e konsideron si të nevojshëm për paqen e familjes së tij dhe për ruajtjen e integritetit të tij personal dhe politik, si dhe në mbështetje të vazhdimësisë së punës dhe angazhimit të liderit të partisë, Ali Ahmeti.
“Besoni tek rruga e tij e drejtë, një rrugë që ka qenë dhe mbetet shpresa më e madhe për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Unë mbetem gjithmonë i përkushtuar ndaj këtyre vlerave dhe do të jem në krah të tyre, si qytetar dhe si mbështetës i së mirës së përbashkët. “, njofton Grubi në vendimin e tij personal për t’u tërhequr nga jeta publike.
Ngriu – Shkriu
Ky është rasti i dytë në të cilin BDI thotë se respekton vendimet e institucioneve të partnerit strategjik SHBA, por me asnjë veprim nuk e ka treguar këtë në praktikë. Në qershor 2023, Departamenti i Shtetit e vendosi Ramiz Merkon në listën e sanksioneve, duke shpjeguar se, gjatë kohës që e ushtronte funksionin e kryetarit të komunës së Strugës, ai kishte shfrytëzuar fonde dhe kishte ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e qytetarëve në institucionet demokratike dhe funksionarët në Maqedoninë e Veriut.
As atëherë, BDI nuk mori një vendim për të sanksionuar kuadrin e partisë së tyre. Merko nuk u shkarkua nga anëtarësia në organet partiake dhe BDI njoftoi se “me kërkesë të Merkos, iu ngri anëtarësimi në organet partiake“.
Pas sanksionimit nga SHBA, Merkos i duhej një javë për të zgjedhur fjalët me të cilat do të reagonte në public dhe historia e tij filloi nga shumë larg.
“Nga presidenti (Woodrow, shënim) Wilson deri në ditën e sotme, SHBA kanë qenë aleati ynë në çdo sfidë dhe së bashku kemi realizuar shumë projekte të rëndësishme për shtetin, qytetin dhe qytetarët e Strugës (…) Në interes të procesit, vendosa të ngrij çdo aktivitet në strukturat partiake deri në përfundimin e proceseve të rëndësishme për të gjithë“, tha atëherë Merko dhe premtoi se do të ishte i hapur për organet e drejtësisë dhe të gjitha institucionet e tjera.
Por, shpejt u pa se anëtarësimi i tij në organet partiake nuk ishte “ngrirë“. Fakti që gjithçka vazhdoi si më parë, ose “si gjithmonë“, u zbulua nga kamerat televizive, të cilat në dhjetor 2023 kapën Merkon në një ngjarje partiake të organizuar nga BDI. Nga Reçica e Vogël refuzuan të komentojnë për “shkrirjen“ e fshehtë të Merkos.
Mbajeni hajdutin
Në stilin „hajduti thotë – mbajeni hajdutin“, fjala „veting“ është bërë fjala më e dashur e BDI-së për mbrojtje nga akuzat ose dyshimet për krim ndaj funksionarëve të saj. Çdo herë që në publik është përmendur keqpërdorimi nga një funksionar i BDI, partia e ka trajtuar këtë si „gjueti shtrigash“.
„I bëjmë thirrje partive politike të tejkalojnë veten, të ndalojnë me gjuetinë e shtrigave dhe mashtrimin e publikut për defokusim politik dhe të miratojmë së bashku ligjin për vetingun të monitoruar ndërkombëtarisht për të gjitha akuzat nga pavarësia deri më sot“, tha BDI pasi kaloi këtë vit në opozitë.
Partia kërkoi një veting të monitoruar ndërkombëtarisht, i cili do të përfshinte jo vetëm politikanët, por edhe gjyqtarët dhe prokurorët. Gjatë kësaj, BDI shpjegoi se “besimi i ulët në sistemin e drejtësisë është për shkak të presionit partiak“, duke e përjashtuar veten nga një “kontribut“ të tillë, ndërsa fajin e hodhi te partitë maqedonase.
“Bashkimi Demokratik për Integrim mendon se, me keqardhje, përpjekjet për të krijuar drejtësi të paanshme, deri në ditën e sotme, kanë dështuar. E gjithë ndërhyrja politike na ka çuar në 2% besim në sistemin e drejtësisë për shkak të presionit partiak gjatë të gjitha viteve të pavarësisë, nga partitë politike maqedonase, i cili vazhdon edhe sot me qëllim krijimin e drejtësisë selektive sipas interesave partiake“, thanë nga BDI në gusht.
As engjëj, as djaj
BDI në vitin 2020 u krenua se kishte realizuar një proces të vetingut të brendshëm partiak, megjithatë kurrë nuk u publikuan detaje se përmes cilave procedura ishte realizuar ai. Cili ka qenë „filtri“ dhe „cilësia“ e këtij vetingu të brendshëm në BDI, e tregon edhe fakti që vetingun partiak e ka kaluar me sukses Ramiz Merko, i cili doli si një kandidat i pastër dhe i padiskutueshëm për zgjedhjet lokale dhe fitoi mandatin e katërt në Strugë, si dhe Artan Grubi, i cili në të njëjtin vit u bë Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive.
“Nuk janë të gjithë engjëj në BDI“, ka thënë disa herë Ahmeti. Të njëjtën e përsëriti edhe vitin e kaluar në korrik, kur partia zgjodhi kryetarët e rinj të 14 degëve për të eliminuar “të zjarrtit“ nga radhët e saj.
#Kam thënë se nuk janë të gjithë engjëj në BDI, por unë kam organe politike, nuk kam organe akuzuese. Për të qenë procesi i besueshëm, kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare të dërgojë ekspertë ndërkombëtarë për të bërë procesin të besueshëm“, tha atëherë Ahmeti.
Tani, kur sanksionet kanë vulën ndërkombëtare, që janë dhënë nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara – partneri strategjik për të cilin BDI nuk kursen fjalë miradije – Ahmeti tha se Grubi ka të drejtë ankese.(PressOnline.al)