Pas mbledhjes së Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Gëzim Sveçla, vandalizoi sallën e mbledhjeve.
Incidenti erdhi pas miratimit të buxhetit për vitin 2025 nga Kuvendi Komunal.
Komuna e Prishtinës miraton buxhetin për vitin 2025
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, publikoi një video ku paraqitet momenti i veprimit të Sveçlës.
“Shkatërrimtarë e dhunues. Fytyra e përhershme e VV-së. Shefi i asamblistëve të VV në Prishtinë dëmton sallën sepse… është miratuar buxheti. Në dhunë janë themeluar, të tillë do jenë gjithmonë”, ka shkruar Mustafa.
Në vendngjarje janë shkuar zyrtarë policorë për të hetuar rastin.
Për këtë ka reaguar edhe vetë Sveçla, duke shpjeguar arsyet e veprimeve të tij.
Sveçla ka theksuar se, për të pamundësuar vazhdimin e seancës dhe për të parandaluar miratimin e projekteve që, sipas tij, dëmtojnë qytetin dhe zhvillimin e tij, ai ka tentuar të defunksionalizojë mikrofonin e Kryesuesit të Kuvendit.
“Për të pamundësuar vazhdimin e një seance të jashtëzakonshme klandestine të Kuvendit Komunal, ku do të votohej Plani Zhvillimor Komunal dhe zgjerimi i Zonës Ekonomike, në një moment kam provuar ta defunksionalizoi mikrofonin e Kryesuesit të Kuvendit.
Edhe pse mikrofoni u rregullua, seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit dhe, të paktën përkohësisht, nuk u miratuan projekte qe e dëmtojnë qytetin, e ngulfasin zhvillimin dhe ju shërbejnë pronave të oligarkëve duke i shndërruar nga toka bujqësore e hapësira të gjelbra në zona ekonomike.
Pazaret personale e partiake, favoret e kusuritjet për financim të fushatave zgjedhore nuk mund të bëhen në dëm të qytetit Prishtinës. Mbase veprimet për t’i parandaluar këto pazare nuk janë pamjet që do të donim t’i shihnim, por Prishtina është më e rëndësishme se çdo imazh i paraqitur”, ka shkruar Sveçla në Facebook.