Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve të tij të dy javëve të fundit përmes një postimi në rrjetet sociale. Lajçak ka potencuar sulmin e fundit ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc, duke e cilësuar atë si një akt terrorist.
Ai gjithashtu ka vlerësuar angazhimin e udhëheqësve të rinj të Bashkimit Evropian për prioritetin që ata i kanë dhënë procesit të zgjerimit të BE-së.
“Udhëheqja e re e BE-së më në fund mori zyrat e veta, Kosova përjetoi një sulm të dënueshëm terrorist që synonte infrastrukturën kritike – një akt që e dënova fuqishëm – dhe bota diplomatike po përgatitet për sprintin e zakonshëm të fundvitit.
Ishte e rëndësishme të shihej se në javën e tyre të parë në detyrë, Presidenti i Këshillit Costa, HR/VP Kallas dhe Komisioneri për Zgjerim Kos u takuan me liderët e Ballkanit Perëndimor duke dërguar një sinjal të qartë se zgjerimi i BE-së është prioriteti i tyre”, ka shkruar Lajçak.