Po punohet në zgjidhje kreative për të kapërcyer bllokimin e Maqedonisë, por gjithçka duhet të jetë brenda kornizës negociuese që nuk mund të ndryshohet. Ky është qëndrimi nga Brukseli, ku thonë se ndryshimet kushtetuese me efekt të prolonguar nuk janë një opsion dhe se ndoshta duhet gjetur një mënyrë tjetër për të dërguar një mesazh për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë, shkruajn mediat në gjuhën maqedonase, përcjell PressOnline.al
Zgjidhja kreative, siç thonë ata, për të cilën po punohet, është dhënia e një forme garancie se nuk do të ketë bllokada të reja bilaterale për vendin, gjë që do të jepte një impuls në Maqedoni për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Ndërkohë, në Bruksel mendojnë se dialogu ndërmjet të dyja vendeve duhet të rifillojë.
Në Bruksel thonë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të fillojë të mendojë për bisedime me qeverinë teknike në Bullgari, në kushte të krizës politike kur nuk ka një qeveri politike në Sofje, pasi të gjitha partitë politike në Bullgari janë të bashkuara dhe të njëzëshme për çështjen e Maqedonisë dhe kushdo që të vijë në pushtet atje, pozita për këtë çështje do të mbetet e pandryshuar.
Shtetet që po punojnë më intensivisht për të gjetur një zgjidhje kreative, siç thonë në Bruksel, janë Franca dhe Gjermania, por ata theksojnë se Maqedonia ka shumë miq të tjerë ndërmjet shteteve anëtare.
Ndërkohë, në Bruksel po punohet aktualisht për dokumentet kyçe për Maqedoninë, siç është Plani i Veprimit për të drejtat e pakicave, nga ku mendojnë se ky dokument nuk duhet të politizohet shumë për shkak të mosmarrëveshjes me Bullgarinë, megjithatë ata theksojnë se kur ai të paraqitet për miratim përpara të gjitha shteteve anëtare, çdo shtet do të ketë mundësinë të japë komentet e tij, përfshirë edhe Bullgarinë.
Në Bruksel janë të vetëdijshëm se kur thuhet se zgjerimi është përsëri në agjendën e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, në vendet e rajonit tingëllon si një frazë, por ata sigurojnë se kjo nuk është e vërtetë dhe se BE-ja ka një imperativ politik, moral dhe gjeopolitik për të bashkuar Evropën, informon PressOnline.al