A e dini se kryeministri i qeverisë së parë shqiptare, Ismail Qemali, mbrojtjen e shtetit ia besoi një tetovari?! Po, ministri i parë i mbrojtjes së shtetit shqiptar, apo siç njihej atë kohë Ministri i Luftës, ishte Mehmet Deralla, shkruan TV21.
Ai ishte lindur në Gradec të Tetovës në vitin 1843. Arsimin fillor dhe të mesëm e mori në Tetovë dhe Shkup, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Akademinë Ushtarake të Stambollit. Shkathtësia dhe sukseset e tij bënë që që në moshën 35 vjeçe të merrte titullin e pashait, që nënkuptonte atë të gjeneralit.
Pas shumë vitesh shërbim në ushtrinë osmane, Deralla në shenjë proteste i jep fund kësaj karriere dhe i përkushtohet çështjes shqiptare, duke u vënë në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes së Prizrenit. Pas kësaj, përkushtimi dhe aktiviteti i tij atdhetar ishte i paepur, duke marrë pjesë në lidhje e aksione të shumta, që në nëntor 1912, kulmuan me pavarësinë e Shqipërisë, në Qeverinë e parë të së cilës, Mehmet Dërralla, do të emërohej Ministër i Luftës.