1. Lajme
  2. DOSSIER
  3. Roli i Ismail Qemalit në pavarësimin e Shqipërisë

Roli i Ismail Qemalit në pavarësimin e Shqipërisë

featured

Nga: Evarist Beqiri

Shumë është folur dhe shumë është shkruar lidhur me rolin e Austro-Hungarisë në realizimin e Pavarësisë së Shqipërisë. Vlen të theksojmë që në fillim se mbështetja politike austro-hungareze dhe italiane ishte tepër e rëndësishme në themelimin e shtetit modern shqiptar. Megjithatë, përtej mitizimeve dhe komplekseve ndaj të huajve, të cilat fshehin në rastin më të mirë injorancën dhe në më të keqin dashaligësinë, vlen që të analizojmë me objektivitet ngjarjet dhe faktet historike. Sepse, sa më të qartë që të shikojmë të shkuarën tonë, aq më të kthjellët mund të dallojmë në mugëtirë të ardhmen tonë … Përtej servilizmit klishe, duhet theksuar qysh në krye të herës, se Austro-Hungaria dhe Fuqitë e tjera, të gjendura përballë presionit të pansllavizmit në rritje, ishin për ruajtjen e status kuosë në Ballkan.

Ato ishin kundër shkëputjes së popujve të tjerë joturq nga perandoria. Prandaj, patriotët shqiptarë kërkonin fillimisht autonominë nga Perandoria Osmane. Shkëputja e shqiptarëve nga shteti osman, qoftë edhe me rrugë revolucionare, do të ligjëronte ndërhyrjen e shteteve fqinje që në fakt e prisnin këtë moment, siç edhe ndodhi.

Në këto kushte patriotët shqiptarë po punonin për ngritjen e shkallës së ndërgjegjes kombëtare duke intensifikuar punën për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e sa më shumë shkollave në gjuhën amtare. Ismail Qemali, në periudhën që jetoi në Bruksel dhe po punonte për çështjen shqiptare, zhvilloi takime me diplomatë të ndryshëm. I tillë ishte edhe ai me kontin Metsch Khevenhüller, ambasadori austro-hungarez në Bruksel, i cili u përcoll në një raport të dërguar ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, kontit Agenor Maria Gołuchowski, nga Brukseli, më 6 qershor 1901. Në raport ai pasqyronte bisedën diplomatike të zhvilluar midis tij dhe Ismail Qemalit.

Në këtë takim Ismail Qemali, i kërkonte drejtpërdrejt konsullit austro hungarez mbështetjen e Austro-Hungarisë, në çuarjen përpara të çështjes shqiptare, duke zgjuar vetëdijen kombëtare shqiptare me anë të lëvrimit të gjuhës shqipe në shkolla. Njëkohësisht, ai kërkonte mbështetjen për të forcuar idenë e autonomisë dhe gradualisht Shqipëria të përgatitet që të qëndrojë vetë në këmbë si shtet i pavarur, në rastin e shkatërrimit eventual të Perandorisë Osmane.

Dy ngjarje të rëndësishme për fatin e Ballkanit do të zhvilloheshin në vitin 1908: aneksimi i plotë i Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria dhe deklarimi i pavarësisë së Bullgarisë. Xhonturqit e kuptuan se, nëse do të ecej në këtë linjë, fundi i sundimit osman do të ishte i shpejtë, ndaj menjëherë ua filluan politikave centralizuese. Në këto momente ekzistonin dy rryma patriotike shqiptare: 1) Krahu kombëtarist i kryesuar nga Ismail Qemali ishte që ky moment të shfrytëzohej dhe shteti osman të njihte zyrtarisht ekzistencën e kombit shqiptar dhe njëkohësisht Shqipëria të vetëqeverisej si një entitet politik i mirëpërcaktuar; 2) Krahu i moderuar, i kryesuar nga Mid’hat Frashëri ishte për avancimin e kërkesave kulturore dhe për arsim në gjuhën shqipe, ndërkohë që ata nuk ishin për kërkesa politike.

Ndërkohë, Ismail Qemali, me vizionin e tij largpamës, vazhdonte të kërkonte me ngulm mbështetjen e Austro-Hungarisë ndaj çështjes shqiptare, duke parë në horizont shkatërrimin e afërt të Perandorisë Osmane. Aftësitë politike dhe diplomatike të tij do të dilnin përsëri në pah, në formulimin e Memorandumit të Greçës, në qershor 1911. Ky dokument ishte mishërim i kërkesave shqiptare për një autonomi të plotë. Ai ruante frymën e dokumenteve themelore politike të gjysmës së dytë të shekullit XIX.

Mit’hat Frashëri, i cili shërbeu në Qeverinë e Vlorës, do të shprehej: “Pa dashur të bënj apologjinë e Ismail Qemal beut, i cili në të tjera pika munt të ketë do të meta, padyshim që ai pati meritën e iniciativës dhe te talentit diplomatik, dhe këto cilësi do t’i sigurojnë për kurdoherë nje vënt në kujtimet mirënjohëse të kompatriotëve të tij dhe të albanofilëve”.

Ismail Qemal Vlora hodhi themelet e ndërtimit të shtetit modern shqiptarë. Ai konceptoi vijën politike mbi të cilën do të ecte ky shtet. Mbi trashëgiminë e tij u ngritën themelet e institucioneve shtetërore shqiptare. Vizioni i Ismail Qemalit vijon që t’a udhëheq diplomacinë shqiptare. Doktrina politike e Ismail Qemalit e konceptoi Shqipërinë si një faktor ekuilibri, stabiliteti dhe paqeje në Gadishullin e Ballkanit; një rol të tillë Shqipëria e ka luajtur dhe vijon ta luajë me sukses edhe sot e gjithë ditën në Gadishullin Ilirik.

Ismail Qemali theksoi rëndësinë e faktit që për ta realizuar përfundimisht këtë synim, duhet që të respektohen të drejtat kombëtare, pavarësia dhe tërësia territoriale e shtetit të ri shqiptar: “Jemi të bindur se qëndrimi me drejtësi ndaj nesh do të jetë jo vetëm në të mirën tonë, por edhe të atyre që synojnë të përfitojnë në kurrizin tonë. Rindërtimi i bllokut ballkanik dhe garantimi i tij do të jetë një nga faktorët më të frytshëm për paqen në Lindje dhe në botë. Ngrehina e Ballkanit mund të jetë e qëndrueshme vetëm po të forcohet Shqipëria, që përbën shtyllën e katërt mbajtëse të saj”.

Roli i Ismail Qemalit në pavarësimin e Shqipërisë
|