1. Lajme
  2. DOSSIER
  3. Mesazhet e fshehura në nudot femërore të shekullit XVI

Mesazhet e fshehura në nudot femërore të shekullit XVI

featured

Si mundet një vizatim i rrallë, Tri Karitet [hijeshitë] nga Rafaeli, të zbulojë idetë e epokës për lakuriqësinë, modestinë, turpin – dhe gjenialitetin e artistit.

Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC

Një gaforre që lëviz dhe një struc i fuqishëm janë ndër 150 vizatimet me shkumës, gjilpërë argjendi dhe me ngjyrë që shfaqen në ekspozitën Të vizatosh Renesancën italiane, në Galerinë Mbretërore në Pallatin Bakingem. Krijuar nga gjigantët e Rilindjes, si da Vinçi [Leonardo da Vinci], Mikelanxhelo [Michelangelo Buonarroti], Rafaeli [Raffaello Sanzio da Urbino] dhe Ticiani [Tiziano Vecellio], shpesh si përgatitje për tablo të mëdha që duhej pikturuar, mendohet se këto vepra kanë hyrë në Koleksionin Mbretëror në shekullin XVII, nën mbretin Çarls II [Charles], ku disa prej tyre ishin dhurata. Për më shumë se 30 nga këto vizatime, kjo është hera e parë që shfaqen ndonjëherë para publikut. Rrallë të ekspozuara për shkak të brishtësisë së tyre, këto vizatime të mrekullueshme – të cilat që në atë kohë filluan të njiheshin si vepra të mirëfillta – përbëjnë ekspozitën më të gjerë të vizatimeve italiane nga viti 1450 deri në vitin 1600 që është organizuar ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.

Tri Karitet [hijeshitë] nga Rafaeli (c. 1517-‘18)

Edhe më të rralla se këto studime të kafshëve janë vizatimet e trupave lakuriq të femrave, të cilat janë tri herë më pak krahasuar me një bollëk trupash lakuriq mashkullorë. “Trupi mashkullor ishte fokusi absolut i kreativitetit”, shpjegoi historiania e Renesancës, Maya Corry, duke diskutuar ekspozitën në emisionin Front Row në BBC Radio 4 në tetor. “Kjo është një shoqëri e krishterë dhe është trupi mashkullor, jo trupi femëror, që është bërë në imazhin e Zotit”. Njeriu Vitruvian i da Vinçit, me përmasat e tij ideale trupore, është një shembull i qartë. Trupi mashkullor, tha ajo, “është ai që i afrohej më shumë përsosmërisë hyjnore” në ato kohë.

Gjithashtu, kishte çështje praktike. “Puna në një punishte artistike ishte një mjedis mashkullor dhe, në mungesë të ‘modeleve profesionale’, ishte kundër të gjitha normave shoqërore që një grua të zhvishej përpara një burri tjetër përveçse burrit të saj”, shpjegon për BBC, Martin Clayton, kurator i ekspozitës. Ishin modelet mashkullore ato që, për shembull, pozonin për Mikelanxhelon kur atij i duhej një figurë femërore. “Kjo çonte në keqkuptime dhe shtrembërime në paraqitjet e trupit femëror”.

Virgjëresha dhe fëmija Jezus me Gjon Pagëzori si foshnje nga Leonardo da Vinçi (c. 1478-‘80)

Tri Karitet e Rafaelit (c. 1517-‘18), një vepër e realizuar me shkumës të kuq dhe që ka dëshmi të vizatimeve paraprake me gjilpërë argjendi, zbulon gjenialitetin e artistit në punë. Duke lëvizur një model të vetëm në tri poza të ndryshme, ne shohim procesin e kujdesshëm pas krijimit të afreskut plot gjallëri, Dasma e Kupidit dhe Psikës, ku këto tri figura shfaqen duke bekuar çiftin e porsamartuar, për t’u dhënë atyre lumturinë e ardhshme. Lakuriqësia, kompleksiteti i trupit njerëzor, përbënte provën përfundimtare të talentit të një artisti të Renesancës, duke kënaqur gjithashtu pasionin e epokës për shkencën. Bicepset dhe kuadricepset elegante të grave flasin për të njëjtin interes për anatominë që shohim në veprën e da Vinçit, Muskujt e këmbës (c. 1510-‘11), që gjithashtu është e ekspozuar. Por, ka një butësi në fytyrë dhe në bark, diçka që mungon në përshkrimet e meshkujve në ekspozitë, si Koka e një të riu (c. 1590), që shfaq vitalitetin dhe që i atribuohet Façinit [Pietro Faccini], ose Shën Jeronimi (c. 1580) i sforcuar i Pasarotit [Bartolomeo Passarotti].

Koka e Virgjëreshës (c. 1582) nga Baroçi [Federico Barocci]

Në Tri Karitet e Rafaelit, “bukuria” përkufizohet me lëkurë të lëmuar dhe pa defekte, me gjokse dhe vithe po aq të rrumbullakëta sa mollët që mbajnë në duar në përpunimin e mitit nga artisti në vitet 1504-1505. Kur Botiçeli [Sandro Botticelli] i bëri Karitet si element kryesor të veprës së tij madhështore Pranvera, butësia femërore theksohej nga flokët e valëzuar dhe pëlhurat e tejdukshme, ndërsa përshkrimi i pas-Renesancës (c. 1670-‘80) nga Liberi [Pietro Liberi] përmban faqet e skuqura dhe mishin e ngjashëm me mermerin që shohim në veprën si Koka e virgjëreshës e Baroçit (c. 1582), e pikturuar një shekull më parë dhe gjithashtu e ekspozuar në Galerinë Mbretërore.

Virgjëresha dhe fëmija (c. 1570-80) nga Kampi [Bernadino Campi]

Si hyjnizime të hijeshisë, elegancës dhe bukurisë, Karitet (Eufrosina, Aglea dhe Thalia), vajzat e perëndisë greke Zeus, reflektojnë një pikëpamje mashkullore në përshkrimet e tyre të Renesancës, jo vetëm për atë se si duhet të duket një grua, por edhe për atë se si duhet të sillet. Ato mishërojnë këtë koncept të paqartë të hijeshisë – të lidhur ngushtë me Rafaelin – që porositësit dëshironin t’i bashkëngjitnin imazhit të tyre. Ishte një term i lidhur me dallimin, dashamirësinë dhe dashurinë, ndërsa vallëzimi i tyre rrethor sugjeron ekuilibrin dhe harmoninë − parime kryesore të estetikës së Renesancës. Si grup, ato kombinojnë një leksion patriarkal mbi virtytin femëror me, ndoshta pa qëllim, një kremtim të formës femërore dhe të lidhjes mes grave.

Pamje nga ekspozita në Galerinë Mbretërore

Kjo lakuriqësi femërore ishte në kontrast të dukshëm me kodin modest të veshjes së grave në Italinë e Renesancës. “Në publik, shumica e grave do të mbulonin trupin deri te kyçet e këmbëve dhe do të mbulonin krahët”, shpjegon Biggs. Skenat mitologjike dhe biblike u jepnin artistëve një pretekst për t’i zhveshur gratë dhe gjithashtu plotësonin, thotë Biggs, dëshirën e porositësve meshkuj për të shfaqur “erudicionin erotik” ose ndoshta për të “nderuar fuqinë e tyre seksuale”.

Mesazhet e fshehura në nudot femërore të shekullit XVI
|