Ish-deputetja e LSI-së dhe ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha e ftuar në “Vizioni i Pasdites” thotë se nuk e mendon më rikthimin në politikë.
Klajda Gjosha: Nuk e mendoj rikthimin në politikë, por e ndjek gjithmonë. Jap mendimin tim nga shtëpia edhe kur nuk ma kërkojnë.
Në studion e Vizion Plus, ka komentuar edhe arrestimin e ish-Presidentit të vendit, njëherësh kryetar i Partisë së Lirisë (ish LSI), Ilir Meta. Gjosha e ka quajtur të papranueshme arrestimin e Metës në atë mënyrë nga Policia e Shtetit.
Klajda Gjosha: Do ta quaja të papranueshme atë që ndodhi, mënyrën e arrestimit. Gjithsecili me ne mund të përballet një ditë me drejtësinë për shumë çështje. Askush nuk meriton të tërhiqet ashtu nga policia e shteti, aq më tepër kur bëhet fjalë për një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE. Mendoj që aq më tepër për zotin Meta, është aq qytetar dhe institucional sa në çdolloj mënyrë që do t’i ishte komunikuar ai do të ishte paraqitur ku do të thirrej. Nuk ishte e duhur. Ky nuk është vetëm mendimi im. Shoh që edhe publiku i gjerë nuk mund të pranojë pamje të tilla. Ai ka qenë një person që e ka përfaqësuar shtetin shqiptar, ka qenë president, kryeministër…mos të harrojmë pastaj të drejtat e njeriut.
Gjithashtu shton se ka pasur dhe ka një marrëdhënie të mirë me Kryemadhin dhe Metën.
Klajda Gjosha: Kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë dhe institucionale më të dy. Kam punuar me ta dhe ruaj respektin tim për ato vite, pro edhe mirënjohjen time për gjithë rrugëtimin tim në politikë, pavarësisht se si janë gjërat sot dhe se si ka shkuar rrugëtimi i tyre në politikë./vizionplus.tv