Ashtu siç ka bërë prej 3 vitesh Komisioni Europian shmangu Partinë Demokratike, dhe ambasadori i BE Silvio Gonzato ia dorëzoi progres-raportin demokrates Jorida Tabaku në cilësinë e kryetares së Komisionit të Integrimit.
Në një konferencë me gazetarët, Tabaku vuri ne dukje se gjetjet e progres-raportit përputhen me shqetësimet e opozitës.
“Situata e përkeqësuar e investimeve, ligjit, problemet e drejtësisë ato ekonomike. Tregu dhe ekonomia e kapur nga interesa private. Korrupsioni dhe kapja e tregut minon zhvillimet, shqetësime për koncesionet publike për një grup të caktuar. Sulmet ndaj mediave, shpërdorimi burimeve natyrore si energjia, administrata publike që ka pasur përkeqësim dhe regres. Këto që ndodhen në progres-raport janë të gjitha elementë që kemi ngritur shqetësimin në kohë dhe kemi protestuar”, tha Tabaku.
Në raport me ftesën e kryetares së parlamentit Spiropali për dialog, Tabaku theksoi se nuk ka nevojë për bisedime pasi kërkesat e opozitës janë të qarta.
“Spiropali të marrë listën dhe të fillojë me reflektim. Ta nisi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, a e bën dot mazhoranca, për këtë proteston opozita. Qeveria teknike, a e bën dot mazhoranca? Ka dhe shqetësime të tjera, si ai për zgjedhjet e lira. A protestuam për komisionet hetimore për 6 muaj? Opozita e ka kryer detyrën e saj, por a e kryen qeveria? Parlamenti është bërë si kalim me pengesa. A është Parlament normal ky? Rregullorja e re e Parlamentit është e njëanshme, ne e kemi denoncuar. Ta nisë nga kjo rregullore e njëanshme mazhoranca”, tha ajo.
Tradicionalisht ambasadori i BE në Tiranë ia ka dorëzuar progres-raportin krerëve të shtetit shqiptar dhe ka shkuar në selinë e PD për t’i dorëzuar forcës më të madhe të opozitës këtë dokument. Por prej çarjes së PD në vjeshtën e vitit 2021 dhe rikthimit të Sali Berishës në krye të partisë, ambasadorët e BE kanë zgjedhur të mos bëjnë takime në seli. /vizionplus.tv