Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë ditën e diel një takim me bashkëatdhetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Takimi do të zhvillohet në orën 11:00 me atë lokale (10:00 me orën e Shqipërisë) në “Porto Palace Hotel” në Selanik.
Kjo do të jetë hera e dytë që kryeministri Rama kthehet në Greqi për të zhvilluar takime me diasporën.
Por mësohet që para hotelit ku Rama do të mbajë takimin me emigrantët shqiptarë do të ketë një tubim nga ana e nacionalistëve grekë, të cilët kanë paralajmëruar hedhjen e fletushkave.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale nacionalistët grekë të “Frontit Kombëtar” të drejtuar nga Dimitris Valasidis do të mbajnë fjalime jashtë hotelit ku do të jetë Rama.
Në njoftimin e shpërndarë nga vetë nacionalistët thuhet se protesta lidhet me burgosjen e Fredi Belerit në Shqipëri.
Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë protestës do të hidhen në rrugë fletushka me shkrimet “Liri për “Vorio Epirin”.
Kujtojmë që drejtuesi i “Frontit Kombëtar” Valasidis ka marrë pjesë edhe në protesta që janë zhvilluar për çështjen “vorio-epirote” para Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Selanik.