1. Lajme
  2. MAQEDONI
  3. Të kujt janë korridoret 8 dhe 10D?!

Të kujt janë korridoret 8 dhe 10D?!

featured

BDI-ja dhe LSDM-ja reagojnë për ndryshimin e qëndrimeve të koalicionit VLEN dhe VMRO-DPMNE-së lidhur me korridoret 8 dhe 10D.

Nga BDI-ja thonë se janë të kënaqur që korridoret vazhdojnë të ndërtohen, pavarësisht që ato realizohen nga një qeveri pa legjitimitet etnik.

Nga kjo parti potencojnë se korridori 8 mban vulën e tyre dhe u takon të gjithë qytetarëve, ndërsa rezultatet e përditshme konfirmojnë se ka qenë projekt i drejtë dhe vizionar.

“Ky ndryshim qëndrimi tregon vlerën e pamohueshme që korridori 8 përfaqëson për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe për përmirësimin e lidhjeve të saj me rajonin dhe Evropën. Politikat e BDI-së kanë qenë gjithmonë në interes të qytetarëve dhe rezultatet e përditshme i bindin ata se akuzat dhe sulmet e drejtuara ndaj nesh nuk ishin asgjë tjetër përveçse përpjekje për të arritur pushtetin pa mbështetje të vërtetë. Përkundër kritikave, ne kërkojmë që ky projekt i rëndësishëm të realizohet me sukses.”, – deklaroi Ejup Rustemi nga BDI.

LSDM: Dje ishte projekt kriminel, sot vazhdohet

Nga LSDM-ja thonë se vetëm pas 4 muajve qeverisje të VMRO-DPMNE-së u kuptua se akuzat ndaj LSDM-së për ndërtimin e korridoreve kanë qenë të pabaza dhe me prapavijë politike.

“Derisa Qeveria e LSDM-së i vendoste themelet e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e Maqedonisë së pavarur, VMRO-DPMNE-ja pa bazë sulmonte, fajësonte, bllokonte ligjet në Kuvend, të gjitha me qëllim të ngadalësimit të rritjes infrastrukturore të vendit. Sot më në fund e kuptuan thelbin e asaj që themi prej muajsh, ndërtimi i shpejtë i korridoreve evropiane është i mundur vetëm nëse funksionon me ndërtim me faza, me një kontraktor të fortë që do ta projektojë dhe ndërtojë paralelisht.”, – theksoi Bllagoja Boçvarski nga LSDM.

VMRO: Përdoreshin për të mbushur xhepat

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se asnjëherë nuk kanë qenë kundër projekteve, por kundër mënyrës së realizimit të tyre. LSD-ja është një strukturë e shembur, korridoret i përdorte si maskë për të mbushur xhepat e saj, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

Të kujt janë korridoret 8 dhe 10D?!
|