1. Lajme
  2. MAQEDONI
  3. Shfuqizimi i “Balancuesit”, Kadriu: Rrugëdalja e vetme është miratimi i ligjit i cili duhet të përmbushë kategorinë kushtetuese për përfaqësim të drejtë

Shfuqizimi i “Balancuesit”, Kadriu: Rrugëdalja e vetme është miratimi i ligjit i cili duhet të përmbushë kategorinë kushtetuese për përfaqësim të drejtë

featured

Gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu i cili gjatë ditës së djeshme votoi kundër vendimit për shfuqizimin e balancuesit, në një intervistë për Alsat thekson se rrugëdalja e vetme nga kjo situatë është miratimi i ligjit, i cili patjetër duhet të përmbushë kategorinë kushtetuese për përfaqësim të drejtë, ndërkaq për keqpërdorim të deklarimit të përkatësisë etnike duhet të parashikohen sanksione.

“Rekomandimi im si jurist me përvojë gati 50-vjeçare është që përsëri me ligj duhet të parashikohet elementi përkatësi. Por, tek i njëjti ligj dhe me të njëjtin ligj, i cili duhet të miratohet dhe patjetër duhet të miratohet sepse përsëris, në qoftë se nuk miratohet një ligj i tillë, pozita kushtetuese do të mbetet vetëm dëshirë e mirë e parealizuar. Por, me të njëjtin ligj duhet të parashikohen edhe sanksione për keqpërdorimin e përkatësisë”, tha Osman Kadriu, gjykatës kushtetues.

I pyetur se si do të tejkalohet situata në rrethana kur Gjykata Kushtetuese me vendimin e djeshëm theksoi që nuk guxon asnjë qytetar që me ligj të detyrohet të deklarojë përkatësinë etnike gjatë punësimit, ndërkaq institucionet nuk do të mund të mbledhin të dhëna për përfaqësimin etnik, Kadriu thotë se ligji duhet t’i të parasheh kushte të caktuara.

“Ajo çështje se si do të rregullohet me konkurset dhe shpalljet, aty mund të rregullohet domethënë me ligj që të mos bie në sy se sa shqiptarë, turq apo tjerë… A do ta bëjë organi që e bën, por organit me ligj duhet t’i parashikohen kushtet si duhet të realizohet përfaqësimi. Përsëris, pa mos e rregulluar, pa mos e sanksionuar shumë mirë dispozitën kushtetuese në ligj, çështjen e përfaqësimit – përfaqësim ne nuk do të kemi”, u shpreh Osman Kadriu, gjykatës kushtetues.

Zgjidhja e përhershme, sipas Kadriut duhet të rregullohet me ndryshimet kushtetuese, respektivisht vendimet në Gjykatën Kushtetuese të kalohen me badenter që të mos mund të mbivotohen shqiptarët. Gjykatësi Kadriu, thekson që pa parashikimin e elementit të përkatësisë nuk mund të ketë përfaqësim të drejtë.

“Tash me shfrytëzimin e këtyre dispozitave, asnjëherë nuk mund të kemi kontroll të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Nën dy, atë që e theksuat, unë edhe sot e theksova në atë mendimin e veçuar. Jo njëherë të abrogohet kjo dispozitë, por edhe 100 herë të abrogohet dispozita, ligjvënësi patjetër përsëri duhet të jetë i obliguar ta parashikojë si kriter, si kusht, çështjen e përkatësisë. Pa parashikimin e elementit përkatësi, nuk kemi dhe nuk mund të kemi inkuadrim, përfaqësim të drejtë adekuat në të gjitha fushat e ndryshme ku duhet të inkuadrohen persona konkret”, tha Osman Kadriu, gjykatës kushtetues.

Kadriu shprehu dyshim se ka pasur presion politik që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë balancuesin. I pyetur nëse shqyrtohet mundësia që gjykatësit shqiptarë të bojkotojnë ose braktisin punën e Gjykatës Kushtetuese, Kadriu tha kjo nuk është zgjidhje.

“Me mosmarrje pjesë beteja nuk fitohet. Beteja fitohet me luftën aty për aty. Aty ku ndodh problemi aty duhet të fitohet, aty duhet të kërkohet rrugëdalja edhe vendimi adekuat”, theksoi Osman Kadriu, gjykatës kushtetues. /Alsat.mk

Shfuqizimi i “Balancuesit”, Kadriu: Rrugëdalja e vetme është miratimi i ligjit i cili duhet të përmbushë kategorinë kushtetuese për përfaqësim të drejtë
|