Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 88-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin 04366 në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Filipo De Miniçis tha së dëshmitari ishte arrestuar nga anëtarët e UÇK-së dhe ishte dërguar në Fabrikën e Metalit në Kukës dhe do të japë dëshmi sa i takon vdekjes së një personi atje.
“Në 1999 dëshmitari 04366 u arrestua nga disa anëtarë të UÇK-së dhe u dërgua te Fabrika e Metalit në Kukës. Atje, dëshmitari 04366 u keqtrajtua, u mor në pyetje dhe u mbajt në kushte çnjerëzore. Ai dëshmoi me sytë e tij keqtrajtimin e të ndaluarve të tjerë dhe mund të jep disa dëshmi sa i takon vdekjes së një personi”, tha prokurori për të vazhduar më pas me pyetjet në sesion privat për publikun.
Dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë më pak se një ditë. Sipas kryegjyqtarit, koha për pyetjet e prokurorisë është parashikuar që të jetë gjysmë ore, ndërsa një orë e gjysmë për kundërpyetjet e ekipeve mbrojtëse.
Ndryshe, të gjitha intervistat e mëhershme të dëshmitarit u pranuan në prova materiale së bashku me materialet përcjellëse.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi