Skuadra e Serie A, Roma, të mërkurën paradite ka befasuar me vendimin për shkarkimin e trajnerit Daniele de Rossi pas vetëm katër ndeshjeve.
Në një komunikatë të lëshuar në faqen zyrtare, klubi romak ka bërë të ditur se e ka shkarkuar De Rossin nga pozita e trajnerit “për të mirën e ekipit dhe për t’u kthyer sa më shpejt në rrugën e dëshiruar në një kohë kur sezoni është ende në fazat e para”.
Në janar të këtij viti, 41-vjeçari u emërua fillimisht si trajner i përkohshëm i klubit ku shpenzoi pjesën më të madhe të karrierës për ta zëvendësuar Jose Mourinhon.
Pas paraqitjeve të mira, atij iu dha kontrata e përhershme. Sezonin e kaluar, Roma e mbylli në pozitën e gjashtë, mjaftueshëm për t’u kualifikuar në Ligën e Evropës.
Por këtë sezon, skuadra kryeqytetase ka vuajtur. Pas katër ndeshjeve në Serie A, ka vetëm tri pikë.