1. Lajme
  2. SPORT
  3. E akuzuan se ishte mashkull, boksierja Imane Khelif ngre padi

E akuzuan se ishte mashkull, boksierja Imane Khelif ngre padi

featured

Kampionia olimpike e boksit Imane Khelif e Algjerisë ka ngritur një padi në Francë për ngacmim në internet, pas kritikave të shumta dhe pretendimeve të rreme për gjininë e saj gjatë Lojërave Olimpike të Parisit, tha avokati i saj.

Khelif fitoi medaljen e artë olimpike në kategorinë e peshës së lehtë të premten, pas dy javësh interesi publik ndaj saj, si dhe boksieres tajvaneze Lin Yu Ting, dhe kritikave që të dy nuk duhet të konkurrojnë në konkurrencën e femrave.

Ankesa u depozitua të premten në njësinë speciale të zyrës së prokurorit të Parisit për të luftuar gjuhën e urrejtjes në internet dhe ngacmimet serioze kibernetike që synojnë Khelif, tha avokati Nabil Boudi.

Në një deklaratë, ai e përshkroi atë si një “fushatë mizogjene, raciste dhe seksiste” kundër boksieres femër.

Tani i takon prokurorëve të vendosin nëse do të hapin një hetim. Siç është zakon sipas ligjit francez, ankesa nuk përmend emrin e autorit të supozuar, duke u lënë në dorë hetuesve të përcaktojnë se kush mund të jetë fajtori.

Pas ndeshjes së parë të Helifit në turneun olimpik, kur italiania Angela Carini i dorëzoi asaj fitoren pas 46 sekondash, në rrjetet sociale u shfaqën pretendime se Helif është transgjinor apo se është mashkull, gjë që u refuzua dhe u dënua nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. /vizionplus.tv

E akuzuan se ishte mashkull, boksierja Imane Khelif ngre padi
|