“Hallexhinjtë” aksionar në shtetin ku favorizohen “bosat”!

featured

Nga Destan JONUZI

Kryeministri me orë dore me vlerë prej 50 mijë euro, i cili erdhi në pushtet me votat e “hallexhinjve”, qytetarëve të Republikës të cilës njëherë i njeh, e njëherë jo – emrin kushtetues, vazhdon të paraqes bizneset e suksesshme dhe kompanitë me të ardhura të larta si fillim të mbarë të kabinetit të tij qeveritar.

Qytetari i rëndomtë, i halleve dhe derteve thuajse nuk fiton fare nga ky spektakël ekonomik. Ai është në pritje që të behet aksionar në ndonjë nga kompanitë shtetërore – ashtu siç i kishin premtuar në fushatën elektorale, të mbyllen dyqanet e kredive të shpejta dhe bankat komerciale t’u ofrojnë po të njëjtin shërbim me këste më të vogla dhe gjithçka të jetë sipas normave dhe dispozitave ligjore.

Përfaqësues të qeverisë së re për çdo ditë na “çajnë” kokën se qeveria e kaluar e ka “sakatuar” arkën e shtetit, por papritmas nga i njëjti buxhet u gjetën para shtesë për pensionistët. Nuk ka rritje as për mësuesit, as për mjekët, as për infermierët… Nga milionat e Orbanit, 250 milionë do të jenë për kompanitë.

Kryeministri nuk arriti të takohej me organizatat sindikale, por për këtë arsye shkoi te biznesmenët dhe u premtoi ndihmë shtesë nga buxheti i Maqedonisë së begatë e pjellore. Sindikalistët kërkojnë që paga minimale të jetë 450 euro, por kjo është më pakë e rëndësishme sa “lulëzimi” i bizneseve të mëdha, të cilat edhe ashtu kanë të ardhura marramendëse vjetore.

Një tjetër masë që favorizon të pasurit ndaj “hallexhinjve” është ulje e tatimit mbi fitimin për kompanitë që fitojnë mbi 50 milionë euro.
Në anën tjetër, mos miratimi i ndryshimeve kushtetuese drejtpërdrejt degradon raportet politike të Maqedonisë së Veriut me perëndimin.

Do të ishte mirë që qeveria e të tregojë se si do të përmbushë shumë nga pritshmëritë e qytetarëve. Kur do ta bënë qytetarin aksionar të ndërmarrjeve shtetërore… Si do të sigurohet koordinimi brendaqeveritar dhe si do të orientohet qeveria në dialogun me Bullgarinë?
Problemi serioz këtu nuk është pse anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE po vonohet.

Problemi këtu është se Evropa nuk arrin të ndihmojë Maqedoninë e Veriut. Është hera e parë në historinë e vendit që veprimi diplomatik ndërkombëtar e ndihmoi Maqedoninë e Veriut të bëjë një hap përpara në integrimin euroatlantik.

Megjithatë edhe më problematike është përpjekja populiste për ta konsideruar mosanëtarësimin në BE (kundërshtimi i ndryshimeve kushtetuese) si rezistencë ndaj Perëndimit.

@PRESSonline.al

“Hallexhinjtë” aksionar në shtetin ku favorizohen “bosat”!
|