Loriana Kuka i jep fund karrierës në xhudo

featured

Loriana Kuka me paraqitjen e saj në Lojërat Olimpike të Parisit i ka dhënë fund karrierës në xhudo.

Këtë së pari e la të nënkuptohet trajneri, Driton Kuka njëkohësisht axha i saj i cili në reagimin e tij në ‘Facebook’ shkroi: “Lori, të uroj suksese në rrugëtimin tënd të ri”.

Por, tashmë fundi i karrierës së saj është konfirmuar edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës përmes një postimi në faqen zyrtare.

Loriana është vajza e Sylë Kukës, që trajneri, Driton Kuka e vlerëson trajnerin më të rëndësishëm në karrierën e tij.

 “La Zvicrën tash e tetë vjet për të arritur ëndrrat e saj për medalje elitare.  Fitojë medalje në Kampionate Botërore e Evropiane. E deshi edhe medaljen olimpike, por fati nuk deshi. Erdhe nga Zvicra duke treguar se je gjaku ynë dhe deshe të bëjë krenare familjen, ekipin e kombin shqiptar. Dëshira jote e madhe ishte të arrije sukseset që i arrite për babin tënd, vëllain tim, Sylën, që me aq pasion e mbolli dashurinë për sportin e xhudos tek unë, tek Agroni dhe te mbarë familja. Falë teje vëlla unë jam në xhudo. Falë teje, që ishte trajneri im dhe idoli im i jetës. Si axha yt, Lori të dëshiroj fatin e botës tash e tutje, në rrugëtimin e ri jetësor. Faleminderit për krejt”, ka shkruar Kuka në Facebook.

Loriana kishte një rrugëtim të suksesshëm në xhudo gjatë karrierës së saj.

Ajo ka fituar medalje evropiane, botërore, ishte medaliste e Lojërave Evropiane, dy herë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike, si dhe ishte edhe medaliste e Lojërave Mesdhetare.

Loriana Kuka i jep fund karrierës në xhudo
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.