Gashi: Feja islame na ka bërë dëme të mëdha për 25 vjet, andaj jam kthyer në katolik

featured

Arbër Gashi, përfaqësues i lëvizjes për braktisjen e fesë Islame, pretendon se feja islame ka shkaktuar “dëme të mëdha në Kosovë gjatë 25 viteve të fundit”.

Ai në Debat Plus, ka theksuar se hoxhallarët vazhdojnë të predikojnë zbatimin e sheriatit në jetën e përditshme, gjë që sipas tij, pengon integrimin e gjeneratës së re në jetën dhe proceset normale të Evropës.

“Këto 25 vjet na ka bërë dëme të mëdha, sepse po ta përkujtoj që nuk ka sot një hoxhë të vetëm që nuk e predikon zbatimin e sheriatit në jetën e përditshme. Qytetarët e Kosovës sidomos gjenerata e re, e cila induktohet me mësime të tilla, ajo do ta ketë shumë të vështirë inkuadrimin në rrjedhat dhe proceset normale të jetës evropiane,” ka thënë Gashi.

Sa i përket braktisjes së fesë islame, Gashi ka thënë se vendimi për t’u bashkuar me Kishën Katolike vjen si rezultat i problemeve që “Islami ka shkaktuar në Kosovë”.

Ai beson se kthimi në katolicizëm është më i natyrshëm për shqiptarët.

“Këtë mundesh me vendos vet se çfarë feje, ne fenë islame e kemi braktis për shkak të problemeve që i ka shkaktuar islami në Kosovë gjatë 25 viteve të fundit dhe i jemi bashkuar Kishës Katolike pra aty ku e kemi pasur vendin,” ka deklaruar ai.

Gashi ka shtuar se lidhja e tij me krishterizmin është thellësisht e rrënjosur në identitetin e tij shqiptar dhe datën e lindjes së tij, më 28 nëntor, Dita e Flamurit.

“Sepse unë kam lind në datën 28 nëntor 1969, do të thotë në ditën e flamurit e kam emrin Arbër dhe vitet i numërojmë me kalendarin kristjanë, atëherë është krejtësisht normale me kërku për me pa se ku është vendi ynë,” ka deklaruar Gashi.

Gashi: Feja islame na ka bërë dëme të mëdha për 25 vjet, andaj jam kthyer në katolik
|