VMRO DPMNE-ja në heshtje për kabinetin e ri qeveritar!

featured

Vijojnë të rrjedhin afatet për formimin e qeverisë së re, ndërkohë që nga VMRO-DPMNE të mbyllur, sa i takon detajeve se kur mund të pritet formimi i qeverisë së re, pasi lideri i tyre, Hristijan Mickoski, me marrjen e mandatit deklaroi se s’do të presë afatin përfundimtar prej 20 ditësh për formimin e qeverisë.

Zyrtarisht nuk thuhen as emrat e ministrave. Mirëpo nga koalicioni VLEN dalin me afate konkrete. Njoftojnë se formimi i qeverisë pritet të bëhet brenda këtyre ditëve dhe më pas do të vijojë edhe komunikimi zyrtar i emrave të ministrave në kabinetin Mickoski.

“Mandatari Hristijan Micksoki pritet që të formojë qeverinë e re brenda javës, më së voni deri të premten. Kjo është periudha kur pritet të përfundojë procesi. Ndërkaq gjatë fundjavës do të publikohen emrat e ministrave.”, njoftojnë nga koalicioni VLEN, përcjell PRESSonline.al

Sipas riorganizimit të ri të qeverisë, kabineti qeverisës do të numëroj 20 ministri, katër më shumë nga kabineti paraprak. Ndryshimet e propozuara nga mandatari Mickoski, përpos deputetëve të VMRO-së u mbështetën nga koalicioni VLEN, “E di”, si dhe “Fronti Evropian”.

Ato parashikojnë që Ministrisë së Ekonomisë t’i bashkëngjitet segmenti i punës, ndërkaq nga ekonomia hiqet energjetika, e cila do të menaxhohet si dikaster i ri së bashku me minierat dhe burimet minerale. Ministria aktuale e Punës dhe Politikës Sociale do të shndërrohet në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe kompetencat për turizmin do të jenë nën Ministrinë e re të Kulturës, e cila do të quhet Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Do të krijohet Ministria e Sporteve, Ministria për Transformimin Digjital, si dhe Ministria e Administratës.

VMRO DPMNE-ja në heshtje për kabinetin e ri qeveritar!