Përvjetori i ardhshëm i tetëdhjetë i Ditës-D [D-Day] është rast i mirë për të kujtuar heroizmin dhe guximin e njerëzve që zbarkuan në plazhet e Normandisë më 6 qershor 1944 – në ngjarjen e cila ndryshoi valën e Luftës së Dytë Botërore, kundër regjimit të Hitlerit.
Si lindi ky mashtrim, Operacioni Qëndresa [Operation Fortitude]?
Historia nis në vjeshtën e vitit 1940, kur koloneli John Turner nisi ndërtimin e fushave të rrejshme ajrore, për të ngatërruar aviacionin gjerman [Luftwaffe] për madhësinë e mbrojtjes luftarake të Britanisë. Turner ishte drejtor i Punimeve dhe Ndërtesave në Ministrinë Ajrore, duke ndihmuar në ndërtimin e pistave të reja të Forcave Mbretërore [RAF] gjatë mobilizimit të shpejtë të para luftës. Doli në pension në vitin 1939, por u ftua për të drejtuar departamentin e ri top-sekret – për të ndërtuar fusha të rreme ajrore dhe për t’i mbushur ato me maketa të aeroplanëve.

Mareshali i aviacionit, Sir Hugh Dowding – shef i Komandës Luftarake të RAF-it – ishte kundër punës së Turnerit. Ai nuk donte që burimet të devijoheshin në mashtrime – kishte nevojë për luftëtarë të vërtetë dhe për baza të vërteta ajrore. Dowding tha se donte “substancë” jo “hije”.
Megjithatë, Ministria Ajrore i tha Turnerit që të vazhdojë. Por, problemi i Turnerit ishte se prodhuesit e aeroplanëve ndërtuan aeroplanë të rremë që ishin shumë të sofistikuar dhe kompleksë për gjërat që thjesht duhej të shiheshin nga një aeroplan zbulimi që fluturonte në 6.1 kilometra lartësi. Ata gjithashtu ishin shumë të shtrenjtë. Turneri kishte nevojë të gjente një furnizues të ri për maketet. Këtu futet në lojë Norman Loudoni.
Në perëndim të Londrës, në fillim të viteve 1930, biznesmeni skocez Loudon kishte blerë një rezidencë me 30 hektarë tokë. Në vitin 1932 hapi një studio filmi në mjediset e rezidencës Sheperton. Ndërtoi dy skena të mëdha, i pajisi me teknologjinë më të fundit për audio dhe ndërtoi dhoma të zhveshjes, gardëroba, punëtori dhe të gjitha pajisjet për realizimin e filmave. Duke ditur se kalimi në filmat me zë është i përhershëm, studiot i quajti Qyteti i Zërit [Sound City].

Gjatë vitit 1940, pas takimit me Loudonin, Turneri kuptoi se industria e filmit kishte përvojë në realizimin e rekuizitave të cilat ishin krejtësisht artificiale, por që dukeshin reale në kamerë. Ndoshta ata mund të ndërtonin maketin e tij të aeroplanit? Duke parë një mundësi biznesi për të krijuar punë për teknikët të cilët nga Sheppertoni kërkonin mbijetesën, Loudoni ofroi dhe fitoi kontratën për të ndërtuar 50 aeroplanë Wellington dhe 100 Blenheim. Kostoja ishte sa një e treta e asaj e ofruar nga prodhuesit e aeroplanëve. RAF-i u gëzua, Turneri mori maketat dhe Loudoni e gjeti një punë të vlefshme në kohë lufte, për teknikët e tij të filmit.
Disa nga mashtrimet e tij nuk funksionuan, por mësoi si nga sukseset ashtu edhe nga dështimet. E kuptoi se që mashtrimi të jetë efektiv, ai duhej jo vetëm ta bënte armikun të mendonte diçka, por të bënte diçka – të linte forcat e veta në vendin e gabuar ose të largonte trupat nga fokusi i sulmit të ri. Dhe, shpejt u bë i zoti në artin e krijimit të forcave që nuk ekzistonin, në ekzagjerimin e Urdhrit të Betejës [forcave të organizuara ushtarake]. E shpiku një brigadë parashutistësh dhe i bindi italianët se ata do të përdoreshin për të rënë prapa linjave të tyre. Por, nuk kishte trupa ajrore në Afrikën e Veriut. Vazhdoi të shpikte divizione dhe trupa ushtarake që dukeshin thuajse Ushtria e VIII ishte shumë më e madhe sesa në fakt ishte.

Në betejën e El-Alameinit në tetor 1942, Clarke dhe shokët e tij mashtrues e bindën armikun se sulmi aleat do të vinte nga jugu i frontit të betejës. I përdorën kamionët e mbuluar me materiale gome që dukeshin si tanke nga ajri, duke krijuar atë që dukej si gjurmë e tankeve nëpër rërë. Bënë që një depo imagjinare karburanti në jug, të dukej si tubacion – punuar në fakt nga kazanët e vjetër të naftës. Gjermanët vendosën dy divizione të blinduara në jug për të përballuar këtë kërcënim të dukshëm. Kur erdhi beteja, Montgomery sulmoi nga veriu i frontit të betejës. Beteja zgjati me 10 ditë luftimesh të rënda, por manovrimi i armikut padyshim që ndihmoi në arritjen e fitores.
Gjenerali Montgomery, i cili që nga Alameini ishte mbështetës i zjarrtë i mashtrimit, u vu në krye të Grupit të Ushtrisë XXI, duke e bërë atë efektivisht komandant të forcave tokësore në Ditën-D dhe më gjerë. Shefi i tij i mashtrimit, nënkoloneli David Strangeways, këmbënguli se e vetmja mënyrë për t’i shtyrë gjermanët që të mbajnë ushtri të madhe të rajonin e Kalesë, Ushtrinë e tyre të XV, ishte t’i bindte ata se një grup i plotë ushtrie po formohej në Kent, Eseks dhe Sufolk, duke u përgatitur për të pushtuar përgjatë Pa-de-Kalesë. Por, si munden mashtruesit të trumbetojnë për ushtrinë prej 300 mijë burrave të cilët nuk ekzistonin?

Por, për të krijuar një ushtri të rreme, mashtruesit filluan me një emër – Grupin I të Ushtrisë Amerikane, i njohur me akronimin FUSAG. Edhe një herë, teknikët e filmit në Sheperton u vunë në punë për të ndërtuar tanket e rreme për këtë ushtri të pretenduar. Të përbërë nga goma dhe kanavaca rreth një kornize metalike, ato mund të fryheshin për 30 minuta. Me qindra u prodhuan dhe u rreshtuan në zona të mëdha montimi, njësoj si në jugperëndim ku ushtria e vërtetë po mblidhej për pushtimin e vërtetë. Ata e projektuan një mjet të madh zbarkimi të bërë nga kanavaca dhe nga druri i cili pluskonte nga rezervuarët bosh. Çdo realizim kishte nevojë për 30 vetë dhe gjashtë ose shtatë orë për t’u montuar. Dyqind e pesëdhjetë u “nisën” përgjatë bregut juglindor, nga Doveri në Jarmuthin e Madh. Fatkeqësisht, edhe pse të ankoruar me një spirancë të rëndë, kishin prirje të rrokulliseshin nga era e fortë. Kompanitë e regjimentit të Uorstesher u vunë në gatishmëri për të nxituar për t’i kthyer në vend – sa më shpejt që ishte e mundur.
Disa divizione ekzistuese amerikane dhe kanadeze iu ndanë FUSAG-ut dhe disa divizione të reja u shpikën për të krijuar numrat e përfshirë. Një njësi e plotë e sinjaleve të ushtrisë amerikane u udhëzua të dërgonte mesazhe të rreme, lart e poshtë në radiot e zinxhirit komandues, me detaje të ushtrimeve stërvitore dhe të zbarkimeve të rreme për në plazh. Gjermanët nuk kishin nevojë të deshifronin të gjitha këto mesazhe. Mund të vërenin nga vëllimi i trafikut në radio se ajo që dukej se ishte ushtri e madhe, po mblidhej në Anglinë juglindore. Deri në fund të majit, një javë përpara Ditës-D, inteligjenca gjermane llogariti se 79 divizione aleate ishin mbledhur në Mbretërinë e Bashkuar. Në fakt, numri ishte vetëm 52.

Por, çdo ushtri ka nevojë për një komandant dhe në inskenim të shkëlqyer: gjenerali George S Patton u vu në komandën e FUSAG-ut. Pa dyshim, ai do të kishte preferuar të komandonte trupat e vërteta që përgatiteshin për pushtimin aktual, por u hodh në këtë rol të ri.
Si shoumen i madh, shfaqej duke mbajtur fjalime dhe duke inspektuar njësitë imagjinare të këmbësorisë dhe të njësive të blinduara. Kudo që shkoi, shoqërohej nga fotografët dhe komanda e tij e re shpejt rrodhi te armiku. Teksa gjermanët mendonin se ai ishte një nga gjeneralët më të mirë që kishin Aleatët, besonin plotësisht se ai do të komandonte trupat e invadimit në Evropë.
Kur zbarkimi i Ditës-D u zhvillua në Normandi, gjermanët u zunë në befasi të plotë. Por, reaguan shpejt dhe, brenda pak ditëve, nga Franca jugore dhe perëndimore mbërritën përforcimet për të luftuar. Lufta gjashtëjavore për të çarë nga Normandia, ishte e gjatë dhe e vështirë. Megjithatë, kryesorja është se Ushtria e XV gjermane mbeti në Pa-de-Kale duke pritur atë që Komanda e Lartë Gjermane ishte e bindur se do të jetë invadimi i dytë i madh.
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com