1. Lajme
  2. OPINIONE
  3. Fronti ‘Jo Rusisë- Po Evropës!’ u bë Fronti ‘Jo Rusisë – po Qeverisë!’

Fronti ‘Jo Rusisë- Po Evropës!’ u bë Fronti ‘Jo Rusisë – po Qeverisë!’

featured

Shkruan: Izet Mexhiti, kryetar i LD-së

Fronti ‘Jo Rusisë po Evropës’ gjatë seancës për miratimin e Ligjit për riorganizimin e organeve të administratës edhe njëherë dëshmoi se kurrë nuk e ka pasë as hallin e Evropës, as hallin e shovinizmit, dhe sidomos jo hallin e shqiptarëve. Lehtësia me të cilën deputetët e BDI-së u pajtuan të mbështesin ligjet e shumicës mbrëmë, flasin se e vetmja gjë që atyre u intereson është si t’i krijojnë vetes nje kapixhik për në Qeveri, qoftë edhe si një patericë shërbyese për shumicën parlamentare. Themelimi i ad hok trupit për përfaqësimin e drejtë, një shpikje e dëshpëruar për ata që 20 vite kishin mundësi ta relizojne përfaqësimin e drejtë por nuk e bënë, flet se BDI është e gatshme të pranojë gjithçka, edhe lëmoshën e VMRO-së, vetëm të rrijë në hije të pushtetit.

‘Fronti Evropian’ mbrëmë me votë i tha ‘Po Rusisë!’ Ky votim tregon dyfytyrësinë e frontmenëve të ‘frontit’, lakueshmërinë e qëndrimeve të tyre dhe kuptohet, disponimin për të qenë në qeveri në çdo variant, vetëm për të qenë!

Që ‘Fronti Evropian’ është në krizë të brendshme e kam thënë gjatë gjithë fushatës. Kjo u pa qartë gjatë ditës së djeshme, ndërsa u vulos gjatë aktit të votimit. Në tentim për të fshehur faktin se tre deputetë të ‘frontit’ ishin të gatshëm që të votojnë ligjet e shumicës, tentuan të demonstrojnë unitet duke votuar i gjithë grupi. Por në fund, u ikën deputetët e Ziadin Selës! Me këtë akt u pa se misioni i vetëm i ‘frontit’ ishte qeveria. Në momentin që nuk ka qeveri, nuk ka as ‘front’.

Mbrëmë përfundimisht ranë maskat. Fronti ‘Jo Rusisë- Po Qeverisë’ e tregoi fytyrën e vërtetë. Nga dëshira e madhe për pushtet, qoftë edhe me VMRO të cilën gjatë gjithë fushatës e quanin parti pro-ruse dhe anti-shqiptare, mbrëmë vrapuan të merreshin vesh dhe t’ia votojnë ligjet pa asnjë problem. Para një jave, po këta deputetë, po ky front nuk e votoi Afrim Gashin, pra, një shqiptar, për kryetar parlamenti. E me të vërtetë katundi që shihet, kallaus nuk do!

Fronti ‘Jo Rusisë- Po Evropës!’ u bë Fronti ‘Jo Rusisë – po Qeverisë!’
|