Qasja bazë për ndërprerjen e duhanit, e cila përfshin përshkrimin e ilaçeve dhe ndryshimin e sjelljes, d.m.th. lënien e duhanit, kufizon ndjenjën e lirisë së zgjedhjes dhe mund të inkurajojë varësinë afatgjatë të njerëzve nga terapia mjekësore, thotë Dr. John Oyston, një anesteziolog nga Toronto, i cili është një pjesëmarrës aktiv në nisma të shumta për reduktimin e duhanit dhe angazhohet për burime më të sigurta të nikotinës për duhanpirësit e rritur.
Në një shkrim për portalin Filter, Oyston thotë se lënia e duhanit duhet parë si një vendim i lirë i konsumatorit, jo një procedurë mjekësore dhe thekson se një qasje mjekësore mund t’i stigmatizojë duhanpirësit si të varur dhe të pengojë procesin e lënies së duhanit dhe se terapia dhe mjekimet tregojnë efektivitet të kufizuar për t’i ndihmuar njerëzit të lënë duhanin.
Oyston thotë se cigaret elektronike dhe alternativat e tjera më pak të dëmshme se cigaret ofrojnë shpërndarje më të sigurt të nikotinës sesa cigaret, dhe ai thekson përballueshmërinë si një avantazh kryesor të alternativave ndaj barnave me recetë. Si shembull pozitiv, ai përmend Britaninë e Madhe, ku deri në vitin 2023 rreth 2.7 milionë njerëz kanë kaluar plotësisht nga cigaret tradicionale në cigaret elektronike, të cilat mund të blihen kudo, nga pikat e benzinës deri te supermarketet, dhe thekson se asnjë ilaç për ta lënë duhanin nuk pati një ndikim të krahasueshëm deri më tani.
“Në vend që t’i trajtojmë ata si pacientë, mund të jetë më mirë të njihen duhanpirësit si konsumatorë racionalë dhe inteligjentë, të cilët thjesht nuk janë të informuar mirë për opsionet e disponueshme për konsumimin e nikotinës,” thotë Oyston, duke shtuar se rregullimi aktual i produkteve më të sigurta të nikotinës shpesh bazohet në politikë , jo shkencë, duke rezultuar në qasje të ndryshme në mbarë botën në luftën kundër pirjes së duhanit. Ai thotë se përderisa Organizata Botërore e Shëndetësisë bën thirrje për ndalimin ose trajtimin mjekësor të cigareve elektronike, ka alternativa shumë më të sigurta që duhet të jenë të disponueshme lirisht pa mbikëqyrje mjekësore.
“Shtete të ndryshme kanë lejuar përdorimin e gjerë të cigareve elektronike, pajisjeve që ngrohin duhanin, ose duhanit oral dhe produkteve të nikotinës – që në secilin rast ka rezultuar në një rënie dramatike të pirjes së duhanit tradicional të cigareve në nivel popullsie. Në një botë racionale, cigaret elektronike, pajisjet për ngrohjen e duhanit dhe produktet orale duhet të jenë të disponueshme – dhe të shiten – kudo që njerëzit mund të blejnë cigare. Ato duhet të vijnë në një sërë shijesh të ndryshme, me norma tatimore të vendosura për të inkurajuar njerëzit të kalojnë nga cigaret në alternativat pa tym,” beson doktori.
Megjithatë, siç thuhet më tej në tekst, mjekët dhe profesionistët shëndetësorë duket se kanë një kundërshtim irracional ndaj produkteve më të sigurta të nikotinës, ndoshta sepse ato konkurrojnë me programet mjekësore të ndërprerjes së duhanit ose sepse e shohin çdo përdorim jo-mjekësor të nikotinës si të rrezikshëm dhe të pamoralshëm.
“Informacionet e sakta mund të ndihmojë 1.25 miliardë duhanpirës të marrin kontrollin e shëndetit të tyre duke kaluar tek produktet më pak të dëmshme të nikotinës, të cilat mund të parandalojnë qindra miliona vdekje. Është e rëndësishme që konsumatorët të informohen në mënyrë transparente dhe të vlerësojnë çdo produkt që përmban nikotinë sipas karakteristikave të tij. Lënia e cigares duhet të jetë një zgjedhje e konsumatorit, jo një terapi e përshkruar nga mjekësia”, përfundon Dr. John Oyston.
@PRESSonline.al