Kjo paraqitje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, si duket nuk i pëlqeu dikujt në Serbi. Andaj, u mendua për një planifikim për atentat ndaj tij.
Radiotelevizioni Publik i Kosovës ka raportuar nga burimet e sigurisë se kjo tentativë ka ardhur “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.
Edhe nga Qeveria e Kosovës thonë se kërcënimet lidhen më paraqitjen e tij në OKB.
“Jemi të informuar se ka shumë kërcënime nga individë dhe struktura që kanë lidhje me Beogradin zyrtar. Nervoza në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së i ka shtuar kërcënimet dhe agresivitetin ndaj Kryeministrit. Në Shkup janë parë forca të shumta të rendit. Kryeministri nuk është ndjerë i kërcënuar. Gjithçka ka shkuar mirë gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni të Veriut. Ai tashmë është në Kosovë dhe po vazhdon agjendën e tij”.
Por, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut e ka quajtur të pavërtetë lajmin se ka pasur tentim për atentat.
“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, deklaroi Ministria e Punëve të Brendshme
Mirëpo pavarësisht shtimit të forcave policore në Shkup, i pari i ekzekutivit thotë se nuk është ndjerë i kërcënuar.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”.
E për sulmin e mundshëm ndaj Kurtit, ka reaguar edhe njohësi i sigurisë, Agim Musliu.
“Sado që është alarmant lajmi për përpjekjen serbe për ta vrarë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në anën tjetër duket e zakonshme – sepse po këta njerëz kanë vrarë kryeministrin e tyre Zoran Gjingjiqin, pastaj liderë të tjerë serbë si Ivan Stambolliq. Kanë dashur ta vrasin Vuk Drashkoviqin. Dhe së fundmi për pak s’e mbytën Nikolla Sandulloviqin”.
Kryeministri Kurti ka qëndruar të premten mbrëma në Shkup pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fillimisht pati një darkë me përfaqësues të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropian. Pastaj në mëngjesin e së shtunës ishte i pranishëm në takimin rajonal pikërisht me udhëheqës të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropian./teve1