featured

Pas javës së dobët elektorale të Biden në SHBA, rriten shanset e fushatës së Trump

Ata që mbështesin fushatën për rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë duket se kanë pasur shumë për të celebruar kësaj jave, ndërsa për ata që shqetësohen për shëndetin e demokracisë në SHBA nuk dukej fare pozitive, shkruan opinionisti i The Guardian, Chris McGreal nga New York

Joe Biden është goditur nga një raport ‘brutal’ i hetuesit special ku ai portretizohej si ‘një burrë i plakur me memorie të dobët’, ndërsa fansat e Trump presin të zellshëm të shohin emrin e tij në fletët e votimit të 2024 në të gjitha shtetet, pas fitores së pritur në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë dhe një nga sfidueset e mbetura të Trump në primaret republikane pësoi disfatë turpëruese në votimet republikane, edhe pse emri i Nikki Hayley ishte i vetmi në fletën e votimit.

Trump kënaqet gjithashtu nga refuzimi i Biden për t’u shfaqur në televizion në finalen të dielës të futbollit amerikan Super Bowl, në vijim të disa shmangieve të tij të intervistave të profilit të lartë.

Biden tha se “nuk donte të prishte spektaklin e madh të sportit në televizion me dozën e politikës”, siç kanë bërë shumë presidentë të tjerë para tij.

Por pak besojnë se ky ka qenë motivi vërtetë gjatë një jave politike ku Trump ka shkëlqyer më shumë, dhe ku Biden u portretizua në raport si tepër i moshuar për të mbajtur mend nëse po kryen një shkelje të ligjit.

Hetuesi special i dokumenteve të Biden kur ky i fundit nuk ishte në post, e përshkruante presidentin si “me qëllime të mira, por i moshuar dhe me memorie të dobët” duke alarmuar amerikanët për shëndetin mendor të 81-vjeçarit Biden, e duke iu trembur rikthimit të 77-vjeçarit Trump në Shtëpinë e Bardhë, megjithë disa padi penale dhe dy procedura shkarkimi (impeachment) gjatë kohës që ishte president.

Ish-presidenti nuk humbi rastin të dënonte mos-ngritjen e akuzave ndaj Biden duke e quajtur ‘viktimizim’, teksa e krahasonte me rastin e hetimeve ndaj tij për fshehjen e dokumenteve të klasifikuara në Florida.

Në rastin e hetimeve ndaj Trump, prokurori i athershëm Jack Smith, e akuzoi jo vetëm për fshehje të dokumenteve sekrete në vilën Mar-a-Lago por dhe për deklaratë të rreme dhe pengim të kursit të drejtësisë.

Ndërsa në lidhje me gjyqin në Gjykatën e Lartë, ai pritet të dalë i pafajshëm nga akuzat e ndalimit të kandidimit prej pjesëmarrjes në një rebelim.

Shteti Colorado ka skualifikuar Trump për nxitje të trazirave të 6 janarit në Kongresin e SHBA, kur mbështetësit e tij nuk pranonin se Biden kishte fituar zgjedhjet.

Tashmë gjykatësit kanë sinjalizuaar se shteti i Colorado ka tejkaluar kompetencat e tij pasi nëse kjo duhet të ndodhte, e bën vetëm Kongresi i SHBA.

Trump mund të kënaqet gjithashtu me turpërimin e rivales së tij të fundit republikane Nikki Haley, që humbi në primaret në Nevada edhe pse ishte i vetmi emër në fletën e votimit.

Dy të tretat e votuesve zgjodhën opsionin “asnjë nga këta kandidatë” në vend të ish-ambasadores së SHBA në OKB. Emri i Trump nuk ishte në fletët në Nevada pasi shteti nuk lejon pjesëmarrjen në dy procese njëkohësisht.

Avokatët e Biden u ankuan në komisionin e hetimit se referencat për “humbje të memories së presidentit ishin paragjykuese dhe inflamatore”.

Biden gjithashtu kundërshtoi pretendimet por kjo duket se u pasua me një tjetër gafë kur në fund të konferencës ai iu referua presidentit të Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, si “presidenti i Meksikës”. Zhvillimi erdhi teksa disa ditë më parë Biden kishte ngatërruar një lider evropian me pararendësin e tij të vdekur, duke iu drejtuar presidentit francez Emmanuel Macron me emrin e Francois Mitterrand.

Trump gjithashtu bëri një gafë të ngjashme javën që shkoi duke ngatërruar Haley me ish-drejtuesen demokrate Nancy Pelosi. Por gabime të tilla nuk janë një problem për ish-presidentin Trump pasi mbështetësit i falin gjithçka.

Një sondazh i rrjetit NBC tregonte se dhe mes demokratëve nuk ka shumë entuziazëm për Biden, teksa shumica do të votojnë për të vetëm për të mbajtur jashtë postit Trump.

Kjo duket se është dhe linja e strategëve demorkatë që po fokusohen t’i thonë votuesve të rizgjedhin presidentin për të shmagur një mandat të dytë për Trump.

Strategët e presidentit shpresojnë që të paktën një nga gjyqet e Trump për trazirat e 2020 të dalë në sallën e gjymit para nëntorit, por ndërkohë ata janë cdo sekondë të frikësuar nga gafat që mund të thotë Biden sa herë hap gojën. ///Chris McGreal/The Guardian//