featured

SHBA: Izraeli nuk duhet të godasë zonat e identifikuara si të sigurta për civilët në Gaza

Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se është shumë herët për të përcaktuar me siguri nëse Izraeli po bën përpjekje të mjaftueshme për të mbrojtur civilët në Gaza, pavarësisht disa përmirësimeve në këtë drejtim dhe se pret që forcat izraelite të mos sulmojnë në zonat që i kanë identifikuar si të sigurta.

Sulmet ajrore intensive izraelite goditën të hënën pjesën jugore të Rripit të Gazës, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra palestinezë, përfshirë në zonat ku Izraeli u kishte thënë banorëve që të strehoheshin, thanë banorët dhe gazetarët në terren.

Luftimet midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas rifilluan të premten pas një pauze shtatë-ditore për shkëmbimin e pengjeve izraelitë me të burgosur palestinezë dhe për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare.

Zyrtarët amerikanë, publikisht dhe privatisht, i kanë kërkuar vazhdimisht Izraelit që të minimizojë viktimat civile në Gazën jugore duke pasur parasysh numrin e lartë të tyre shkaktuar në operacionet ushtarake të Gazës veriore.

Izraeli e ka ndërmarrë fushatën, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor, për të cilin Izraeli thotë se shkaktoi vdekjen e mbi 1200 vetëve. Rreth 240 persona u morën peng. “Është shumë herët për të bërë një vlerësim përfundimtar”, u tha gazetarëve në një konferencë shtypi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matt Miller, kur u pyet nëse Izraeli po i respektonte thirrjet e Shteteve të Bashkuara.

“Në veri … e keni parë që ata po u bëjnë thirrje mbi një milioni njerëzish që të largohen. Po shohim që kërkesat për evakuim janë shumë më të përqendruara”, shtoi ai, duke thënë se Izraeli kishte identifikuar lagje të caktuara ku po planifikon operacione “në vend që t’i thotë një qyteti të tërë … të ikin nga shtëpitë e tyre.”

“Pra, ky është një përmirësim nga ajo që ka ndodhur më parë. Ata i kanë udhëzuar ata të shkojn në zona që ne e dimë se janë për strehime,” shtoi ai.

Në një sinjal që Uashingtoni është i shqetësuar se sa të sigurta mund të jenë zona të tilla, këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara presin që Izraeli të mos i sulmojë ato.

“Ata kanë lënë të kuptohet se ka zona ku është përcaktuar që nuk do të ketë dhe në ato zona, ne presim që Izraeli të mos godasë,” u tha ai gazetarëve.

Zoti Sullivan tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kishin diskutuar lidhur me kohëzgjatjen e mundshme të luftës me Hamasin, por nuk pranoi të japë hollësira për atë afat kohor./VOA

SHBA: Izraeli nuk duhet të godasë zonat e identifikuara si të sigurta për civilët në Gaza
Giriş Yap

Press Online ayrıcalıklarından yararlanmak için hemen giriş yapın veya hesap oluşturun, üstelik tamamen ücretsiz!