1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Transferojnë çdo muaj 50 miliardë dollarë jashtë vendit – Kinezët e pasur investojnë vendosin kapitalin e tyre në bankat perëndimore

Transferojnë çdo muaj 50 miliardë dollarë jashtë vendit – Kinezët e pasur investojnë vendosin kapitalin e tyre në bankat perëndimore

featured

Deri më tani, udhëheqja e Kinës duket se beson se e ka situatën nën kontroll. Megjithatë, daljet e kapitalit kanë dobësuar juanin kundrejt dollarit dhe monedhave të tjera. Dhe ky dobësim i monedhës ka mbështetur eksportet e Kinës, të cilat ofrojnë miliona vende pune.

Çdo muaj, 50 miliardë dollarë po largohen nga Kina këtë vit, pasi individë të pasur nxitojnë të përfitojnë nga fundi i bllokimeve që mbyllën kufijtë e vendit për tre vjet. Kinezët po udhëtojnë sërish dhe po përdorin kursimet e tyre për të blerë apartamente në Tokio, Londër dhe Nju Jork, ndërsa fondet i depozitojnë në bankat amerikane dhe europiane që ofrojnë norma interesi më të larta se bankat kineze ku normat e interesit janë të ulëta dhe janë vazhdimisht në rënie.

Eksodi masiv i pasurisë kineze jashtë vendit reflekton pjesërisht shqetësimin në Kinë për problemet e ekonomisë, siç është kriza e strehimit. Shumë e interpretojnë atë si një reagim ndaj frikës për drejtimin e ekonomisë nga presidenti Xi Jinping, i cili pas fushatës së tij agresive kundër bizneseve të vendit ka forcuar ndikimin e qeverisë në shumë sektorë të shoqërisë.

Shpesh, kinezët improvizojnë për të anashkaluar kontrollet e rrepta për transferimin e parave jashtë vendit. Ata blejnë shufra ari mjaft të vogla për t’i mbajtur në një valixhe, si dhe sasi të mëdha valutë të huaj. Ata gjithashtu zgjedhin të blejnë prona jashtë shtetit dhe janë shfaqur si blerësit kryesorë të apartamenteve në Tokio, duke blerë prona me vlerë 3 milionë dollarë dhe shpesh duke paguar me valixhe plot me para.

Përkundrazi, para pandemisë, ata zgjodhën apartamente studentore në Tokio me vlerë jo më shumë se 330 mijë dollarë, ndërsa aktualisht po blejnë prona shumë më të mëdha dhe po sigurojnë viza investitore për të lëvizur familjet e tyre jashtë vendit. Ekspertët vlerësojnë se ky largim i shpejtë i pasurisë nga Kina nuk kërcënon ekonominë kineze prej 17 trilionë dollarësh, kryesisht për shkak se eksportet e shumë prej produkteve kryesore të vendit mbeten në nivele të larta dhe në këtë mënyrë kthejnë një pjesë të madhe të parave cash.

Megjithatë, nëse ka një tendencë më të gjerë të familjeve kineze për të dërguar paratë e tyre jashtë vendit, kjo mund të shkaktojë shqetësim. Daljet e mëdha të kapitalit kanë shkaktuar ndonjëherë krizë financiare në vendet në Amerikën Latine, Azinë Juglindore, madje edhe në vetë Kinën në fund të vitit 2015 dhe në fillim të 2016. Në atë kohë daljet e kapitalit kishin shkaktuar rënien e tregjeve të aksioneve të Kinës dhe një përpjekje nga autoritetet për të arritur një zhvlerësimi i koordinuar i monedhës.

Banka e Kinës u detyrua më pas të shpenzonte 100 miliardë dollarë në muaj nga rezervat e saj valutore për të mbështetur monedhën. Në të kundërt, në fazën aktuale, ajo po shpenzonte vetëm 15 miliardë dollarë në muaj në mes të verës për të njëjtën arsye. Autoritetet kineze ende mbështeten në një farë mase në kufijtë për lëvizjen e parave jashtë vendit, të cilat i vendosën tetë vjet më parë për të frenuar krizën e monedhës në 2015 – ën. Disa kontrolle të tjera shtesë që vendosën më pas mbi lëvizjet e kapitalit, të cilat synonin zbulimin e transfertave të kamufluara të parave nuk aplikohen më.

Pekini gjithashtu ka ndaluar shumicën e investimeve jashtë shtetit në hotele, kulla dhe asete të tjera me pak ose aspak vlerë gjeopolitike. E megjithatë kinezët e pasur po gjejnë sërish mënyra për të lëvizur paratë e tyre jashtë vendit. Shpesh familjet e pasura blejnë produkte nga kompanitë e sigurimeve, shitjet e të cilave janë shumëfishuar./SCAN

Transferojnë çdo muaj 50 miliardë dollarë jashtë vendit – Kinezët e pasur investojnë vendosin kapitalin e tyre në bankat perëndimore
|