Ministri i jashtëm italian: Marrëveshja Itali-Shqipëri do të ratifikohet në parlament

featured

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha këtë të martë se qeveria do të paraqesë një projektligj në parlament për të ratifikuar marrëveshjen që ka arritur me Shqipërinë për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Lezhë.

Pati disa diskutime fillestare se nuk kishte nevojë që kjo marrëveshje ndërkombëtare të miratohej nga parlamenti, diçka që bëri që partitë opozitare të reagojnë.

“Qeveria synon të paraqesë shpejt një projekt-ligj ratifikimi në Parlament që do të përmbajë gjithashtu rregullat dhe fondet e nevojshme për zbatimin e protokollit”, tha Tajani, sipas ANSA-s.

“Debati i sotëm (për marrëveshjen) dhe votimi në fund të tij dëshmojnë, nëse ka pasur nevojë, se qeveria jonë nuk i është shmangur asnjëherë dialogut dhe shqyrtimit parlamentar, veçanërisht për çështje të një rëndësie të tillë”, shtoi ai.

Ministri italian tha se në Shqipëri në bazë të marrëveshjes do të ngrihen dy qendra dhe jo më shumë se 3000 emigrantë do të mbahen atje në të njëjtën kohë. Ai përsëriti se vetëm emigrantët e shpëtuar në det nga autoritetet italiane do të dërgohen në qendrat në Shqipëri dhe jo ata që shpëtohen nga anijet e drejtuara nga OJQ-të apo personat që zbarkojnë në tokën italiane.

“Nuk do të jetë e mundur të tërhiqen maunet e kontrabandistëve dhe as të drejtohen varkat e drejtuara nga organizata joqeveritare drejt Shqipërisë”, tha ai.

“Emigrantët do të kenë të njëjtin trajtim siç parashikohet nga rregulloret italiane dhe evropiane”.

Tajani shtoi se “ky protokoll nuk është i krahasueshëm me marrëveshjen mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës”.

 “Nuk ka kontraktim të jashtëm të përpunimit të kërkesave për azil në një vend të tretë  dhe nuk ka asnjë përjashtim nga të drejtat e garantuara ndërkombëtarisht, të cilat riafirmohen shprehimisht disa herë në Protokoll. Së shpejti Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe është pjesë e Këshillit të Evropës. Përjashtimet do të ishin të pamundura”.


Top Channel

Ministri i jashtëm italian: Marrëveshja Itali-Shqipëri do të ratifikohet në parlament
|