SHBA zgjeroi listën e zezë të personave nga Maqedonia për shkak të korrupsionit. Përveç Orce Kamçevit, persona non grata u shpallën edhe nëna e tij dhe çifti i martuar Samsonenko. Në listë përfunduan edhe pesë kompani të lidhura me to, mes tyre “Orka Holding” dhe “Sistina Life Care Center”. Bazë për futjen në listën e zezë të çiftit Samsonenko dhe nënës së Kamçevit janë transaksionet që mbulon rasti i parcelave të Vodno-s, në të cilin Rusi dëshmoi, ndërsa Kamçeva dhe djali i saj Orce akuzoheshin për pastrim parash. Në listë është edhe biznesmeni Miodrag Davidoviç-Daka, i njohur në Maqedoni për skandalin “Shik Jelak”, ndërsa në arsyetimin për të përmenden edhe emrat e ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të qeverisë, Dragi Rashkovski, shkruan PRESSonline.al
A do të ulet korrupsioni në vend nëse vazhdojnë të vendosen akterë të korruptuar në listën e zezë?
Ekspertët janë të vendosur se korrupsioni në vend nuk do të zhduket kurrë, përderisa nuk ka vullnet politik nga pushtetarët për t’u marrë me të. Sipas profesorit të Fakultetit Juridik në Universitetin Kirili dhe Metodi, Borçe Davitkovski, nëse duam ta zvogëlojmë korrupsionin, atëherë duhet t’u ndalojmë bartësve të pushtetit politik që të disponojnë me paranë publike (buxhetin, mjetet, etj.).
Davitkovski në një bisedë për “Lokalno” kërkon caktimin e ekipit të zyrtarëve nga jashtë, të cilët do të bëjnë prokurime publike.
– Vetëm me futjen e një Bordi Monetar të përbërë nga të huaj që do të zbatojnë (shpenzojnë) prokurimin publik të fondeve buxhetore, mund të shpresojmë se do të fillojë procesi i reduktimit të korrupsionit, i cili fatkeqësisht tek ne është endemik. Tek ne në politikë hyhet për hir të pasurimit dhe jo për angazhim ideologjik apo profesional për avancimin e segmentit përkatës të politikës dhe qeverisjes, është i vendosur profesori.
Duke marrë parasysh faktin se në 32 vitet e kaluara asnjë bartës i postit publik nuk ka dhënë llogari për punën e bërë, dhe me këtë nuk ka qenë përgjegjës për cilësinë e punës së kryer, thekson Davitkovski, prandaj nuk mund të priten bartësit tanë aktualë të funksioneve publike të udhëheqin një luftë reale kundër korrupsionit.
Avokati Vllado Bangievski beson se amerikanët gjithmonë janë kujdesur për interesat e tyre, pavarësisht se për kë dhe për çfarë bëhet fjalë. Ai vlerëson se listat e zeza për persona, organizata apo shtete kanë gjithmonë karakter sigurie apo ekonomik.
– Supozoj se në rastin konkret, me Sergej Samnsonenkon dhe gruan e tij, si dhe me nënën e Orce Kamçevit – Ratkën, bëhet fjalë për rrezikim të interesave ekonomike të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht se çfarë janë dhe sa ndikim kanë. Është e rrezikshme kur përfshiheni në të ashtuquajturat biznese të paligjshme ose biznese të zeza me vendet perëndimore, konkretisht me SHBA-në, pa marrë parasysh se ajo kurdoherë mund të dalë në sipërfaqe dhe të ketë pasoja: personale apo biznesore! Gjithsesi, vendimi me siguri do të ketë ndikim dhe pasoja për ta, por se çfarë do të jenë ato varet se çfarë marrëdhënie biznesi apo marrëdhënie personale kanë pasur personat konkret me SHBA-në, analizon Bangievski për “Lokalno”, përcjell PRESSonline.al
Ai pret që kjo të jetë një “njollë e zezë” për vendin nga këndvështrimi i huaj, por nuk do të jetë e para dhe ndoshta as e fundit.
– Ne si vend tradicionalisht kemi problem me biznesin – të fuqishmit, të cilët në një kohë bëhen aq të fuqishëm sa institucionet nuk kanë kapacitet – dhe as mundësi, të zbatojnë masa ndaj tyre, kur ata biznese – të fuqishëm kapen në krim. I tillë është rasti, për shembull, me Sasho Mijallkovin – dhe jo vetëm me të! Kujtoni aferat e tjera që ka pasur ky vend me disa biznesmenë dhe biznese. Por nuk është problemi i amerikanëve – është problemi ynë i brendshëm, të cilin ne nuk mund ta zgjidhim. Listat e zeza të SHBA-së vetëm na kujtojnë kushtet dhe kapacitetet tona të brendshme për t’u përballur me krimin ekonomik në vend, paralajmëron bashkëbiseduesi.
Sipas tij, lista e zezë do të rritet, por korrupsioni në vend vështirë se do të ulet. Ai thotë se gjithçka varet nga vlerësimi i shërbimeve financiare amerikane.
– Por kjo tashmë është punë e amerikanëve! Detyra jonë është që të merremi seriozisht me luftën kundër korrupsionit në Maqedoni, që është e pranishme “me kilogramë”! Nuk është e nevojshme që dikush të jetë në listën e zezë që autoritetet tona kompetente të kuptojnë se dikush është i korruptuar ose korrupton vazhdimisht! Kjo flet vetëm për kapacitet të dobët institucional të vendit! Kriteri për korrupsionin e dikujt nuk duhet të jetë lista e zezë e SHBA-së dhe nëse do të gjendet ndonjë nga qytetarët tanë atje. Kriteri duhet të jetë ligji! Ai përcakton se çfarë është një veprim korruptiv – dhe çfarë jo, jo ndonjë listë e zezë e huaj! Por, për fat të keq, gjërat nuk do të përmirësohen në këtë drejtim, përfundon Bangievski, përcjell PRESSonline.al
Në qershor të këtij viti, autoritetet amerikane futën në “listën e zezë” kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre, të cilëve iu refuzua hyrja në SHBA, për shkak të “provave serioze se kryetari i Strugës është i përfshirë në korrupsion, shpërdorim parash dhe ndërhyrje në çështje gjyqësore dhe procese të tjera publike, në dëm të proceseve demokratike në vend”.
Që nga viti i kaluar, ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe kushëriri i tij i parë dhe ish-shefi i Shërbimit të Sigurimit dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov janë në listën e zezë. Shtetet e Bashkuara kanë caktuar më parë Ljube Boshkovskin dhe kreun e PDSH-së Menduh Thaçin si persona non grata. Dhe kompania “Siterox” u vu në listë për shkak të tentativave për të hyrë në sistemet e informacionit, duke rrezikuar individë dhe organizata në mbarë botën.(PRESSonline.al)