BE reformë para zgjerimit, propozimi franko-gjerman mbështet Mishel: Ballkani në 2030!

featured

Bashkimi Evropian duhet të reformohet përpara se të rinisë zgjerimin, sepse vetëm në këtë mënyrë blloku do të jetë plotësisht funksional.

Zgjerimi i BE-së dhe thellimi i integrimeve brenda unionit, duhet të shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën theksohet në një raport të porositur nga qeveritë e Francës dhe Gjermanisë, por të përpiluar nga 12 ekspertë të pavarur, që këmbëngulin se raporti në fjalë nuk paraqet qëndrimet zyrtare të dy shteteve kyce të BE-së.

Ai do t`i shërbejë debatit që do të zhvillohet mes vendeve anëtare të bllokut dhe institucioneve të tij mbi reformat e nevojshme. Propozimi i bërë në raport lidhur me zgjerimin e BE-së është që vendimet për të hapur apo mbyllur kapitujt në procesin negociator, të miratohen në të ardhmen me shumicën e kualifikuar në Këshill e jo me unanimitet, siç ndodh aktualisht.

Vlerësohet se një hap i tillë do të përshpejtonte procesin. Megjithatë, në fund sërish, vendimi për pranimin e një shteti të ri anëtar sërish do të kërkonte votën unanime të anëtarëve ekzistues. Dokumenti përkrah po kështu mundësinë që BE-ja të përgatitet për zgjerim deri në vitin 2030, ide kjo e artikuluar disa javë më parë nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michell.

Ndër propozimet e tjera është që raundet e zgjerimit të ndahen në grupe të shteteve. Për t’u bërë gati, sipas raportit,  BE-ja do të duhet të vendosë nëntë parime, sipas së cilave do të drejtohej strategjia e ardhshme e zgjerimit. Këto parime do të ndahen në dy pika: Pika e parë është “kualifikimi për anëtarësim në bllok, që ka të bëjë me përgatitjen e vendeve anëtare dhe pika e dytë, “dinamika e procedurave të anëtarësimit”, që nënkupton përgatitjen e institucioneve të BE-së.


Top Channel

BE reformë para zgjerimit, propozimi franko-gjerman mbështet Mishel: Ballkani në 2030!