Kurti e Vuçiq në Bruksel u takuan sa për t’u fotografuar

featured

Ramë Buja, pjesëmarrës në negociatat e Rambujesë, ka deklaruar se në takimin e 14 shtatorit të mbajtur në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq janë takuar sa për t’u fotografuar.

Buja tha se asnjë hap përpara nuk është bërë në dialog, madje sipas tij, në takimin e 14 shtatorit pati një lëvizje mbrapa sa i përket dialogimit.

“Në fakt nuk e di kush mund të jetë finale, ajo mund të jetë forma dëshirore e kësaj gjëje, por me krejtë nismën, vazhdimësinë e procesit askush që merr vesh në këto gjëra  nuk mund ta quajë se ka diçka afër finales. Për vet faktin që edhe dy personalitetet më të larta të Serbisë dhe Kosovës kur janë takuar, presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës, janë takuar sa për tu fotografuar njëfarë forme, sepse asnjë hap përpara në këtë dialog nuk ka pasur. Bile për mua ka qenë bukur qesharake kur pritej që 14 shtatori ka me pasë një lëvizje përpara, e në fakt pati një lëvizje prapa. Dhe në fakt nëse matet me siç thojnë populli me “kanar jahudie”, kjo gjë atëherë nuk e di se çfarë logjike ka vazhdimi i këtyre negociatave në këtë formë, nëse gjërat nuk priten pak më ndryshe”, tha Buja në emisionin “ReSpublika” në Tëvë1.

Tutje tha se “nëse më pyesni se a ka gjasë që këta dy ndërmjetës të kësaj gjëje që mund të presin diçka për këto negociata, unë jam shumë skeptik se mund të ndodhë. Për vet faktin e njëfarë qullësie të veprimit ose mungesë dinamike veprimi dhe kjo gjë nuk nënkupton, as nuk kuptohet se diçka do të ndodhë serioze dhe mund të ketë fund finale të dëshirueshme”.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq patën takime bilaterale me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurse qëndrimet e kundërta të palëve kanë bërë që diskutimet në Bruksel të përfundojnë pa ndonjë rezultat. /teve1.info./

Kurti e Vuçiq në Bruksel u takuan sa për t’u fotografuar