“Jam shumë i shqetësuar për situatën në terren”, ka thënë drejtori i të ashtuquajturës “zyre serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq, në një konferencë për media në Beograd, duke theksuar se qëllimi i Albin Kurtit është “dëbimi i popullatës serbe nga Kosova”.
Petkoviq ka thënë se kryeministri Albin Kurti “vazhdon të kërcënojë”, si në Bruksel ashtu edhe sot në Prishtinë në konferencën për media.
“Ai ka thënë se për shkak të keqdashjes së Listës Serbe, Kosova nuk do të pësojë dhe nuk do të paguajë, por “e vërteton tezën se Lista Serbe dhe serbët do të pësojnë dhe paguajnë”, pretendon Petkoviq.
Ai ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron të reagojë ndaj “sulmit brutal” të Kurtit, transmeton Paparaci.
Petkoviq ka thënë se negociatat në Bruksel janë në kushte thuajse të pamundura dhe se “Albin Kurti refuzon gjithçka”, ndërsa në ndërkohë Serbia po përballet me probleme në terren.
“Prandaj për ne dialogu dhe kompromisi nuk janë fjalë të shëmtuara, por një mënyrë për të ruajtur jetët e serbëve të Kosovës. Është një mënyrë për të arritur de-përshkallëzim jo vetëm në veri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka pretenduar Petkoviq.
Ai gjithashtu ka thënë se Kurti “do të vazhdojë të gënjejë, të pretendojë se merr pjesë në dialog”, por në fakt nuk do të formojë Asociacionin.
“Asociacioni përfaqëson shtyllën kurrizore të dialogut”, beson Petkoviq se po i bindë gazetarët në konferencë për media.
“Nuk kanë nevojë që ai t’i japë diçka askujt personalisht. Kur është fjala për popullatën serbe, Prishtina duhet të japë atë për çka është zotuar, që është Asociacioni i vitit 2013 dhe 2015”, ka thënë Petkoviq.
“Çka na nevojitet Asociacioni si guaskë, nuk na duhet kjo, por një Asociacion me kompetenca kushtetuese, për çka jemi marrë vesh me marrëveshjen në Bruksel. Ne kërkojmë zgjidhje politike për Kosovën”, ka pretenduar ai./Paparaci.com