Besa Famgas dhe Istogu kanë vazhduar dominimin në hendbollin kosovar. Hendbollistët e Besës së Pejës dhe hendbollistet e Istogut të shtunën kanë festuar trofetë e Superkupës.
Ndeshjet e Supekupës së Kosovës në hendboll u zhvilluan në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Superkupa në hendboll është ndarë vetëm për herë të dytë. Dhe adresa nuk ka ndryshuar.
Besa e Pejës së fundi ka sjellë shumë lojtarë të huaj, për të kompenzuar largimet jo të pakta gjatë verës. Ndonëse me ndryshime të shumta, Besa Famgas vazhdon të jetë cilësore dhe këtë e dëshmoi ndaj Trepçës, që kishte përkrahjen e mbi 1000 shikuesve.
Pejanët, të udhëhequr në fushë nga Nikola Prce, që e kryen edhe detyrën e kryetrajnerit, ishin vazhdimisht në epërsi ndaj skuadrës mitrovicase. “Xehetarët” janë munduar të barazojnë rezultatin, por pa sukses. Besa fitoi me rezultat 36:28. Besa Famgas është kampione në fuqi e Kosovës në hendboll, ndërsa Trepça është fituese e Kupës.
Edhe istogaset luajtën ndeshje të fortë me Ferizajn. Megjithatë skuadra e trajnerit Faruk Shala ishte vazhdimisht në epërsi dhe fitoi me rezultat 31:27. Ferizaj së fundi ka angazhuar shumë hendbolliste të huaja dhe i bëri rezistencë Istogut. Por kjo skuadër megjithatë shfaqi më shumë dhe ia bashkoi trofeun e Superkupës trofeve për titullin e kampionit dhe për Kupën e Kosovës që i fitoi këtë vit. Istogu për herë të dytë e fitoi Superkupën, njëjtë si Besa Famgas.
Të gjitha katër skuadrat që luajtën në Superkupoë do të paraqiten në gara evropiane, ku gjasat për sukses nuk janë shumë të mëdha. Ndërkohë Superkupa i paraprinë garës kampionale në hendboll, që fillon fundjavën e ardhshme.