1. Lajme
  2. GLOBI
  3. Historia e studentes amerikane që u pranua në Harvard pasi kishte vrarë nënën e saj

Historia e studentes amerikane që u pranua në Harvard pasi kishte vrarë nënën e saj

featured

Gina Grant me një IQ prej 150, e lindur në vitin 1976 në Lexington të Karolinës së Jugut, ishte vetëm 14 vjeçe kur vrau nënën e saj më 13 shtator 1990.

Adoleshentja amerikane e goditi nënën e saj trembëdhjetë herë me një shandan kristali, duke i shtypur kafkën.

Ajo lau pellgjet e gjakut nga dyshemeja e kuzhinës dhe fshehu shandanin dhe leckat e përgjakshme në një dollap. Më pas ajo u përpoq ta bënte vdekjen të dukej si vetëvrasje duke mbështjellë gishtat e nënës së saj rreth dorezës së një thike.

Edhe pse ajo e ndryshoi historinë e saj disa herë , fillimisht i tha policisë se nëna e saj e sulmoi me thikë dhe më pas e goditi në qafë, por kur u zbulua shandani, historitë e saj ndryshuan.

Grant ndryshoi sërish historinë e saj, duke i thënë përfundimisht policisë se ajo e kreu vrasjen në vetëmbrojtje. Pesë vjet më vonë, e njëjta adoleshente që ishte rritur dhe shkëlqeu akademikisht, u pranua nga Universiteti i Harvardit , deri në momentin kur e vërteta e së kaluarës së saj doli sërish në dritë.

Fëmijëria e trazuar

Miqtë e saj kanë treguar se Gina ishte e vuajtur si nga vdekja e babait të saj ashtu edhe nga alkoolizmi i nënës së saj. Babai i saj, Charles Grant, vuante nga kanceri në mushkëri, duke marrë frymën e fundit kur Gina ishte vetëm 11 vjeçe.

Dorothy Mayfield , 43 vjeçe – nëna e të akuzuarës i kishte kaluar vitet e fundit të varura nga alkooli, ndërsa siç pohoi Grant, ajo kishte dhunuar fizikisht atë dhe motrën e saj më të vogël. Për abuzimin e tyre nga e ëma, ka dëshmuar edhe motra e vogël, e cila ka mbrojtur Ginën.

Të gjitha faktet e mësipërme, luajtën një rol pozitiv gjatë gjykimit të çështjes së adoleshentes, e cila u deklarua e pafajshme për akuzën e vrasjes me paramendim. Si rezultat, ajo u dënua me një vit paraburgim për të mitur, me kusht deri në moshën 18 vjeç. I dashuri i saj, lojtari i futbollit Jack Hook, me të cilin ajo u bashkua për të mbuluar gjurmët e saj, nuk i kundërshtoi akuzat, duke pranuar rolin e tij si ndihmës i vrasjes.

Megjithatë, gjykata për të mitur e lejoi Gina Grant të vazhdonte studimet e saj, duke i dhënë gjithashtu leje për t’u zhvendosur me xhaxhallarët e saj në Kembrixh, Massachusetts. Aty e priste një jetë tjetër.

Suksesi akademik dhe Harvardi

Në Massachusetts dhe larg të shkuarës së saj të shëmtuar e të përgjakshme, Gina po ndërtonte një jetë ndryshe. Kursi i saj në Kembrixh Rindge dhe Shkollën e Mesme Latine u kurorëzua me sukses pasi ajo bëri përparim të jashtëzakonshëm akademik.

Në janar 1995, Gina bëri të pamundurën e mundur pasi arriti të pranohej për të studiuar në Universitetin e Harvardit. Në të njëjtën kohë ajo u pranua edhe në Universitetin e Kolumbisë, Kolegjin Barnard dhe Universitetin Tufts. Në intervistën e saj të pranimeve në Harvard, ajo pohoi se nëna e saj kishte vdekur në një aksident. Megjithatë, tre ditë para pranimit të saj, një dosje provash e dorëzuar personalisht në gazetat e Harvardit dhe Bostonit nga një person i panjohur përmbante raporte nga koha e krimit që komentonin incidentin dhe rolin e Grantit në vrasjen e nënës së saj. Universiteti u tërhoq.

“Unë po përballem me këtë tragjedi çdo ditë. Nuk i shërben asnjë qëllimi të mirë që dikush tjetër të rijetojë dhimbjen e fëmijërisë sime,” tha Grant, 19 vjeçe asokohe, në një deklaratë.

Si përfundim Harvardi nuk e pranoi për shkak se ajo gënjeu gjatë aplikimit.


Top Channel

Historia e studentes amerikane që u pranua në Harvard pasi kishte vrarë nënën e saj
|