Ish-deputetja e LDK-së dhe anëtarja e kësaj partie, Besa Gaxherri, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është një ofertë e mirë për qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme, raporton teve1.info
Gaxherri në emisionin InfoNata në Tëvë1, ka deklaruar se kryetari i saj Lumir Abdixhiku është takuar me qytetarë dhe biznese të cilëve u ka bërë pyetje konkrete, bazuar në të cilat e ka hartuar edhe programin qeverisës “Rruga e re”.
Gaxherri ka thënë se LDK është ofertë e mirë për qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.
“Prandaj jemi një ofertë si gjithmonë para qytetarëve. Ndoshta dikush ose një pjesë e qytetarëve me të drejtë kanë qejf më shumë që t’ju japim pretime, por nuk mund t’ju japim ato që nuk mund t’i realizojmë. Andaj kërkojmë nga qytetarët të na kuptojnë se nuk mund të japim premtime që nuk do t’i realizojmë. Pse pa fillu me hartu programin zotëri Abdixhiku i ka fillu menjëherë vizitat, është takuar me qytetarët, u ka bërë pyetje konkrete, është takuar me biznese duke e parë nga afër, ai është munduar me i futë në letër dhe unë jam shumë sigurt që programi jonë është ai arritshëm dhe krijon siguri në vend, krijon stabilitet”, ka deklaruar Gaxherri.
Ajo ka folur edhe për strukturën e LDK-së, duke thënë se për të qenë pjesë e kësaj partie nuk është me rëndësi sa vite ke kontribuuar apo çfarë moshe ke, por ta përqafosh frymën e LDK-së.
“Ne e kemi një simbiozë shumë të mirë me gjeneratën e vjetër dhe jemi shumë të kënaqur me prurjet në LDK. Tek e fundit shumica prej tyre janë figura publike të verifikuara dhe të njohura dhe nuk kemi menduar me pas ndarje të tillë. Tek ne ka shumë rëndësi ta përqafosh filozofinë edhe ideologjinë e LDK ta kuptosh mirë në thelb këtë dhe të ecësh në këtë rrugë, nuk ka rëndësi vitet e shërbimit apo mosha jote, mendësia ka shumë rëndësi, dhe nëse do ta kemi këtë simbiozë do të ecim mirë si kemi fillu. LDK ka fillu dhe është në rrugë të mbarë, programi siç e keni parë është në përfundim edhe pse nuk është përmbyllë krejt edhe pse LDK gjithmonë ka pas programe të mira por kësaj radhe jemi zgjerua sepse secila problematikë është e kornizuar në afat kohor dhe financa”, ka deklaruar Gaxherri.