Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski edhe në ditën e përvjetorit të pavarësisë ka apeluar te deputetët që të jenë të ndërgjegjëshëm para vendimit të tyre final për ndryshimet kushtetuese, duke i ftuar të votojnë në bazë të parimeve të tyre, dhe jo të ndikohen nga krerët e partisë të cilës i takojnë.
Këtë Kovaçevski e quan vendim me rëndësi strategjike për vendin.
“Deputetët vendosin sipas mandatin të cilën e kanë fituar, dhe domethënia e gjithë këtij mandati të deputetit është vota për prespektivën europiane të vendit, dhe vazhdimi i rrugës europiane. Ne këtë rrugëtim e kemi nisur, dhe kjo është përshëndetur nga e gjithë bota. Unë mendoj se në fund duhet këto ndryshime të kalojnë, dhe ti hapim kapitujt. Vendim strategjik është kjo, gjithçka tjetër është largim nga realiteti, dhe kthimi i vendit në izolim, siç ishim në 11 vitet e kaluara. Ne rrugën europiane e kemi nisur së bashku me Kroacinë, dhe tani mund ta bëni krahasimin ku jemi ne, e ku është Kroacia” – tha Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski.
Ndërsa lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski ka vazhduar me kritikat ndaj pushtetit.
“Në vitin 1991 u përmbush vullneti i shumicës për të jetuar në Maqedoni të pavarur. Ata breza ëndërronin përparimin dhe një vend krenar që do të ishte një anëtar dinjitoz dhe i barabartë i familjes evropiane. Por kjo ëndërr u shua ngadalë me kalimin e viteve. Këto janë vitet e krimit, të korrupsionit, të një qeverie që e konsideron biznesin personal më të rëndësishëm se jetën e një njeriu të zakonshëm. Maqedonia e meriton atë luftë dhe do të fitojë kundër elitës së korruptuar në pushtet dhe pengjeve të saj. Obligimi ynë si VMRO-DPMNE është që bashkë me popullin ta bëjmë atë reset dhe ta ngrisim Maqedoninë nga kjo apati dhe kjo errësirë” – deklaroi Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Debati në kuvned rreth ndryshimeve kushtetuese është përmbyllur dhe pritet që kryeparlamentari Talat Xhaferi ta thërras seancën për ti vënë në votim, por siç ka bërë të ditur ai, kjo do të ndodhë kur të jenë siguruar 80 votat e nevojshme.



