Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot burgun e Dubravës me rastin e 24-vjetorit të masakrës. Kurti ka thënë se Serbia i grumbulloi të burgosurit në Dubravë për t’i vrarë dhe pushkatuar, njofton Klan Kosova.
“Përtej të dhënave na shtrohet edhe një problem se si duhet të lexohen këto masakra, vrasje e burgosje. Një nga mënyrat për ta kujtuar historinë e Kosovës është për të lexuar për burgosjen sipas rendit juridik”.
“Të burgosurit politikë shqiptarë ishin një kategori në vete që nuk mund të injoroheshin. Shteti i Serbisë i grumbulloi mbi 900 të burgosur politikë, i solli në Dubravë për t’i pushkatuar. Këtë burg e bëri një farë kampi i të burgosurve politik”, tha Kurti.
Kujtojmë se 24 vjet më parë në Burgun e Dubravës është kryer njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit.