Kohët e fundit u zbuluan planet ruse për të destabilizuar dhe aneksuar Bjellorusinë, Moldavinë dhe shtetet baltike. Po ashtu ne dimë tani shumë më tepër mbi planet fillestare të Rusisë për pushtimin dhe aneksimin e Ukrainës. Kësisoj, është e padiskutueshme që Rusia ka qenë në luftë me fqinjët e saj, edhe pse jo me armë, për disa vite.
Ka të ngjarë të ekzistojnë plane dhe strategji të ngjashme për përmbysjen dhe destabilizimin e shteteve ballkanike përveç Moldavisë. Për shembull, në vitin 2016 Moska tentoi një grusht shteti në Malin e Zi dhe Bullgari. Dhe atje për Moskën, çmimi i vërtetë do të ishte Serbia, ku ka kohë që ka ngritur disa pika të ndikimit në media, energji dhe sektorët e mbrojtjes, si dhe në politikën serbe dhe ndaj serbëve të Bosnjes në përgjithësi.
Në shumë nga këto raste, strategjia ka përfshirë masa për të siguruar pika mbështetje në këta sektorë të lartpërmendur, duke shfrytëzuar njëkohësisht çdo ndarje të mundshme etnike, sociale, politike dhe fetare në vendet e Ballkanit, dhe jo vetëm në Serbi. Njëkohësisht, agjentët e Moskës të ngarkuar me këtë mision organizuan lëvizje të mëdha që mund të nxirreshin në rrugë për të nxitur përmbysjen e regjimit, shpesh për shkak të një krize të krijuar nga Moska.
Kështu, në shkurtin e këtij vitit, inteligjenca ukrainase i tregoi Moldavisë ekzistencën e një komploti të tillë për të përmbysur qeverinë e saj dhe për të ngritur një regjim pro-Moskës, që më pas do të kërcënonte Ukrainën nga jugperëndimi.
Këtë kërcënim e krijuan jo vetëm forcat e rekrutuara pro-Moskës, por edhe mercenarët nga ushtria famëkeqe private Wagner – që vepron si orkestrues i rebelimive – që morën gjithashtu pjesë drejtpërdrejt në këtë operacion, siç ka ndodhur edhe në Afrikë.
Një model i ngjashëm mund të jetë planifikuar për Serbinë. Sipas mediave serbe, këto grupime po u ofrojnë rekrutëve të rinj stërvitje luftarake në një stil të ngjashëm me Batalionin Sudoplatov (i emëruar kështu sipas emrit të vrasësi dhe agjenti famëkeq të KGB-së të kohës së Stalinit) që tani lufton në Zaporizhzhia.
Përtej kësaj, në Serbi, Wagner duket se ka i ka çuar një hap më tej operacionet e tij. Ai ka krijuar dhe mbështetur grupet ekstremiste të krahut të djathtë – “Patrullën e Popullit” dhe “Qendrën ruso-Serbe Orlov” – për të destabilizuar politikën serbe.
Më pas këto grupe mobilizuan serbët pro-rusë për të nisur demonstrata të mëdha kundër Serbisë duke përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën. Policia serbe ka arrestuar disa demonstrues të armatosur që mbronin përmbysjen me dhunë të qeverisë.
Kur i vlerësojmë këto fakte brenda kontekstit të tentativave për grusht shteti si në Moldavi po ashtu edhe në Bullgari, bëhet e qartë se këto përpjekje janë të orkestruara nga Moska me mbështetjen e përfaqësuesve vendas. Për më tepër, ky është padyshim një element i strategjisë së përgjithshme të Moskës për të hapur një “front të dytë” në Evropë.
Destabilizimi i qeverive ballkanike, dhe zëvendësimi i tyre me klientë pro-rusë do të arrinte të përmbushte shumë synime të Moskës. Ai do të ndalte procesin e integrimit evropian, si në NATO po ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, do t’i lejonte Rusisë më shumë kontroll mbi Detin e Zi dhe mbi politikën energjetike në Ballkan, dhe në këtë mënyrë, Evropën Qendrore, duke lejuar bazat detare ruse ose të tjera në ose rreth deteve Adriatik dhe Mesdhe.
Nga ana tjetër do të krijonte një front të dytë kundër Ukrainës, duke e kërcënuar atë ushtarakisht nga prapa shpine, duke bllokuar aftësinë e saj për të transportuar drithërat në rrugë tokësore përmes Ballkanit, dhe duke bllokuar shumë rrugë perëndimore prej nga vijnë furnizimet për të.
Me fjalë të tjera, grushtet e suksesshme të shtetit, mbështetura nga Rusia në Ballkan do të përmbysnin të gjithë axhendën e sigurisë transatlantike. Në Moldavi, planet ruse dështuan për shkak se Ukraina u përball me to dhe e informoi qeverinë që ajo të mund të merrte masa.
Por dobësia e atij shteti, e bën atë vazhdimisht të prekshëm ndaj këtyre kërcënimeve. Nga ana tjetër në Serbi, presidenti Aleksandar Vucic e bëri me sa duket atë lëvizje për t’i bllokuar këto përpjekje dhe për të ruajtur ekuilibrin, ku Serbia lëkundet mes Lindjes dhe Perëndimit duke kryer stërvitje ushtarake me NATO-n.
Prandaj, përpjekjet perëndimore për integrimin e Ballkanit duhet të vazhdojnë të forcojnë dhe shpërblejnë përparimin drejt qeverisjes demokratike, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve Serbi-Kosovës dhe promovuar zhvillimin ekonomik. Elementët properëndimorë duhet të inkurajohen dhe jo të neglizhohen, dhe zona në tërësi duhet të rifitojë statusin e saj si prioritet në politikën perëndimore.
Deri më tani Serbia e Vucic jo vetëm që i ka rezistuar sfidës ruse, por presidenti Vuci ka treguar se nuk do të luajë lojën e Moskës. Ai e ka ri-angazhuar Serbinë për një anëtarësim të mundshëm në Bashimin Evropian.
Në një takim me ambasadorët amerikanë, Vucic ra dakord mbi rëndësinë e mbështetjes së integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës, karakterit shtetëror multietnik dhe institucioneve funksionale të nivelit shtetëror, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995.
Kjo deklaratë ishte një kundërshtim i drejtpërdrejtë ndaj Moskës dhe klientit të saj serb të Bosnjes, Milorad Dodik, që e mbështet konceptin e ndarjes nga Bosnje-Hercegovina.
Vuic ka kthyer jo vetëm dialogun me Kosovën, pavarësisht vështirësive për ta bërë këtë, por edhe po ecën përpara në këtë proces. Për shembull, Kosova dhe Serbia kanë rënë tani dakord të bashkëpunojnë në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.
Kjo lidhet qartë me dëshirën e tij për të ruajtur dhe zgjeruar lidhjet ekonomike me SHBA-në Po ashtu, prania ekonomike e Rusisë në Serbi, po bie në mënyrë të qëndrueshme për shkak të sanksioneve perëndimore. Ndaj tani Serbia po kërkon të diversifikojë furnizuesit e saj të energjisë.
Së fundi, Vucic ka deklaruar se çdo serb i rekrutuar nga Wagner do të arrestohet sapo të kthehet në shtëpi. Gjithsesi sulmet ekzistuese të orkestruara nga Moska dhe tensionet gjithnjë e më të pranishme etnike në Bosnje dhe Kosovë e vendosin në një rrezik të konsiderueshëm.
Kështu, qeveritë perëndimore duhet që të bashkëpunojnë me Serbinë dhe fqinjët e saj për të forcuar shtetet e tyre. Njëkohësisht, ata duhet të punojnë së bashku për të shuar zjarret e tensioneve etnike që i japin mundësi Moskës të jetë aktive.
Po ashtu duhet të krijojnë një alternativë të besueshme ndaj energjisë ruse, dhe të ndërtojnë një rrjet funksional dhe të besueshëm të infrastrukturës energjetike për të forcuar ekonomitë e Ballkanit dhe për ta privuar Moskën nga ndikimi i saj i mëparshëm i tepruar mbi qeveritë dhe shoqëritë në Ballkan.
Pra domosdoshmëria e integrimit të Ballkanit është bërë më urgjente. Meqenëse ky integrim mund të arrihet vetëm përmes qeverive ekzistuese, institucionet perëndimore duhet të punojnë së bashku me to për të forcuar aftësitë e tyre demokratike dhe efektivitetin e tyre, në mënyrë që të mos krijohet ky front i dytë i Rusisë në Ballkan.
Nëse do të ndodhte kjo e fundit, atëherë lufta në Ukrainë jo vetëm që do të bëhet më e vështirë për t’u fituar, por do të shndërrohet në një konflikt të përgjithshëm evropian. Dhe kjo është e papranueshme.
Shënim:Stephen Blank, bashkëpunëtor në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme (FPRI).