Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në disa raste niveli i qeverisjes lokale po përdoret si opozitë ndaj nivelit qendror. Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se Qeveria ka ndarë buxhet rekord për komunat.
Kurti ka thënë se për financimin komunal nga Komisioni i Granteve ka ndarë mbi 742 milionë euro për buxhetin komunal.
“Javën tjetër do të mbajmë takimin e radhës me komunat të katërtin deri më tani. Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale po përdoret për opozitë nivel qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është tani. Qeveria është e të gjithëve, edhe e komunave e komunat janë të qytetarëve jo të partive politike”, ka thënë Kurti në nisjen e mbledhjes.
Dy ditë më parë, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, akuzoi Qeverinë dhe Kurtin për anashkalim të komunave në vendimmarrje dhe mosadresim të shqetësimeve të ngritura nga niveli lokal.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Kurti në mbledhje për ndarjet buxhetore të komunave:
Para dy javë është mbajtur një takim është vendosur ndarja e grandeve për komuna për periudhën 2024 – 2026
Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën e 700 e 42 milionë euro që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë se sa gjatë qeverisë së mëparshme apo rritje mbi 35 për qind.
Grandi i komunave për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë euro e që paraqet vlerën më të madhe për këtë grand
Kjo vlerë rekorde e grandit të përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në buxhetin e shtetit. Rritje ka edhe në grandit specifik për shëndetësi dhe grandin specifik për arsim. Grandi për shëndetësi për vitin 2024 ka një rritje prej 16 për qind krahasuar me vitin 2023 apo 11.5 milionë euro , ndërsa grandi për arsim është rritur për 18.5 për qind apo 37 milionë euro.
Në atë mbledhje është miratuar edhe rritja e buxhetit për kryeqytetin me afër 12 për qind krahasuar me vitin 2023, si dhe financimet për teatrot me rritje prej 80 për qind.
Po ashtu në fillim të muajit prill në takim me kryetarët e komunave hapëm thirrjen për masën e efiçiencës së energjisë për ndërtesat e banimit social.
Sot qeverisja lokale në disa rate po përdorët për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qene atëherë, gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi…
Ndërsa në kuadër të shqyrtimit të draftit të programit për zyrën për çështje të komuniteteve kanë dhënë vërejtje ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi. Me to është pajtuar Kurti që ka thënë se duhet të bëhet më shumë jo vetëm në një ministri apo në një zyrë.
“Besoni që duhet të shërojmë pak situatën me gjithë ato keqpërdorimet që janë bërë”, ka thënë Kurti.
Qeveria ka miratuar projektudhëzimin administrativ për trajtimin mjekësor dhe psikologjik të fëmijëve, viktimë të abuzimit, për t’i ndihmuar në rehabilitim dhe për t’u riintegruar në shoqëri.
Është miratuar edhe themelimi i komisionit ad-hoc për shqyrtimin e ankesave në procesin e rekrutimit të kandidatëve për Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës me përbërje të: Agron Gashit, Fahrije Qorrajt, Shkurte Krasniqit.