Pavarësisht se a do të ndryshohet apo jo modeli zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, procesi i profilizimit të partive politike sipas ideologjive është i pamundur, kështu thotë në një prononcim për PRESSonline.al, juristi Qenan Aliu.
“Duhet theksuar se çdo model zgjedhor ka mangësitë dhe përparësitë e tij. Ndaj edhe modeli ,një njësi zgjedhore, ka më shumë përparësi por për këtë është e nevojshme qasja në votim të jetë në përqindje sa më të madhe. Ndërkaq, listat e hapura, është modeli që pa hezitim më demokratik dhe me më shumë përparësi sesa mangësi. Megjithatë edhe ky modeli apo sistem zgjedhor gjykoj se nuk ndikon në profilizimin e partive politike. profilizimi i tyre ka të bëjë me ideologjitë, programin, doktrinat përkatëse, mënyrën e organizimit etj. Nga ky historik tre dekadash në Maqedoninë e Veriut asnjë subjekt politik nuk ka dëshmuar vazhdimësi në profilin politik të saj, thjeshtë bashkëpunimi dhe kohezion i tyre mes veti është zbatuar kryesisht në bazë të interesave politike partiake shumëdimensionale”, deklaroi Aliu për PRESSonline.al
Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike në vend, gazetari Urim Saliu thotë se në Maqedoninë e Veriut nuk është problem modeli zgjedhorë, e as ndryshimet në Kodin zgjedhor. Por. Se shton ai, problemi qëndron diku tjetër.
Sipas tij, partitë e vogla janë ato që kërkojnë më shumë këto ndryshime sepse mendojnë se me sistemin aktual të gjashtë njësive që daton që nga 2002, më shumë përfitojnë partitë e mëdha dhe nuk ka sipas tyre një garë të barabartë.
“Në fakt problemi nuk qëndron sa njësi zgjedhore kemi por sa parti dhe në veçanti tek shqiptarët të cilët përkundër të gjithave përfitojnë vetëm në njësinë zgjedhore 2, 5 dhe më shumë mandate deputetësh fitojnë në zonë zgjedhore numër gjashtë. Ne pra kemi një duzinë partish të cilat fare nuk e kanë të qartë nëse janë të djathta, të majta apo të qendrës dhe ky është thelbi kryesor i problemit”, deklaroi Saliu për PRESSonline.al
Ai thekson se më e rëndësishme është të përcaktohen ideologjitë politike se sa çështjet tjera.
“Më parë duhet të reduktohen partitë politike që nuk përbëjnë ndonjë peshë por qëndrojnë në skenë vetëm për pazare politike në momente të caktuara”, nënvizoi Saliu.
Në fillim të pluralizmit politik ka funksionuar vetëm një parti politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD). 14 vite më vonë skena politike shqiptare pasurohet me dhjetëra parti të reja, shumica prej të cilëve kohë pas kohe kanë shuar aktivitetin e tyre politik.
Formimi i partive politike është shndërruar në një trend më të preferuar nga shumica e qytetarëve dhe grupacioneve të ndryshme, që synojnë ardhjen e tyre në pushtet.(PRESSonline.al)