1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Kurti falendëron ministrin Radman për mbështetjen e Kroacisë ndaj Kosovës

Kurti falendëron ministrin Radman për mbështetjen e Kroacisë ndaj Kosovës

featured

Në ditën e Evropës, 9 majin, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, që për rastësi është edhe shteti i fundit që është bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Si dy shtete mike, aleate dhe partnere, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar që ta mirëpres sot në Kryeministri, ministrin e jashtëm kroat, Radman, të cilin e falënderoi për kontributin, ndihmën dhe mbështetjen e pareshtur të Kroacisë që nga koha e Federatës së ish-Jugosllavisë, pas luftës çlirimtare e deri te shpallja e pavarësisë.

Kroacia ishte një nga shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, teksa muajin tjetër shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Radman me zhvillimet aktuale, punën e qeverisë dhe arritjet kryesore të viteve të fundit. Progres ky që po mbështetet edhe nga raportet kredible ndërkombëtare, të cilat vit pas viti po e nxjerrin Kosovën si lidere në mesin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, sidomos në fushën e demokracisë, lirive dhe të drejtave, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit.

Ministri Radman u shpreh falënderues për mikpritjen dhe përcolli të falat nga kryeministri kroat, Andrej Plenković. Ai e uroi kryeministrin për punën e mirë në qeverisje, ndërkohë që uroi Kosovën dhe popullin e saj për liberalizimin e vizave dhe kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, procese këto që kanë pasur mbështetje të fuqishme edhe të Kroacisë. Ai tha sa vendi i tij përkrah Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu kandidimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në takim u diskutua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për Marrëveshjen Bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Planin e Zbatimit të saj, sipas dakordimit në Bruksel dhe në Ohër. Kryeministri e njoftoi ministrin Radman se në takimin e fundit të nivelit të lartë, që u mbajt javën e kaluar, ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike, bazuar në modelin kroat të trajtimit të pakicave kombëtare serbe. Në lidhje me të, ai tha duke qenë vend anëtare e BE-se dhe e NATO-s, Kosova e sheh Kroacinë si tregim suksesi dhe model që duhet ndjekur për sa i takon të arriturave ekonomike dhe demokratike, por edhe për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve.

Kryeministri Kurti në këtë takim ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, Shefi i Stafit, Luan Dalipi, Këshilltari për Mbrojte dhe Siguri, Kolonel Ejup Maqedonci, Këshilltarja e Lartë e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Nora Arapi, Këshilltarja politike e Kryeministrit, Zoje Surroi dhe Asistentja Ekzekutive e tij, Valë Gjonbalaj.

Ky ishte delegacioni i dytë ndërkombëtar që u mirëprit në Kryeministri këtë javë. Dje, kryeministri ishte nikoqir i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Austrisë, Wolfgang Sobotka. ​

Kurti falendëron ministrin Radman për mbështetjen e Kroacisë ndaj Kosovës
|