Forumi Ekonomik i Vjenës në Prishtinë, kryeministri Kurti: Investimet janë rritur, jemi entuziast për të ardhmen

featured

Nën Patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sot në Prishtinë, Forumi Ekonomik i Vjenës po mban konferencën me titull “Bisedimet Ekonomike të Vjenës – Takimi i Prishtinës 2023”.

Me këtë rast kryeministri Albin Kurti tha se Prishtina do të shërbejë për takime të tilla produktive edhe në të ardhmen.

Derisa foli për të arriturat e qeverisë gjatë mandatit të tij, kryeministri Kurti nuk la pa përmendur as vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, e rrugën e vendit drejt integrimeve.

“Shpresoj që shteti ynë të shërbejë për takime produktive edhe në të ardhmen. Faleminderit që e keni parë Kosovën si vend për investime.  Shifrat kanë treguar se ne jemi në rrugën e duhur. Investimet e huaja janë dyfishuar derisa jemi shumë entuziast për arritjet që do t’i kemi në të ardhmen. Le të punojmë së bashku për të rritur mundësitë që na prijnë përpara”, ka shtuar ai.

Si qeveri, Kurti tha se kanë bërë investime ne fushën e ekonomisë, e sipas tij  organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë konfirmuar përparimin e Kosovës në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Organizata ndërkombëtare kanë konfirmuar përparimin tonë të rëndësishëm në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ne kemi forcuar gjithashtu urat tona me fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se kjo përpjekje përfaqësohet më së miri jo nga numrat, por nga takimet e panumërta. Kam pasur kënaqësinë të jem pjesë e vendit ku ndajmë sfidat fitoret dhe vizionet me njëri-tjetrin, ndërsa përmenda arritjet e së kaluarës, jam edhe më entuziast për ato të së ardhmes që po shikojmë në vitet ambicioze dhe të gjelbra përpara”.

Ai përmendi edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme.

“Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megabit të prodhuar nga energjitë e rinovueshme. Po krijojmë gjithashtu fondet e para sovrane të pasurisë së vendit tonë”.

Ndërsa, kryetari i Forumit Ekonomik të Vjenës, Victor Jackovich tha se Kosova ka bërë ndryshime të mëdha pozitive ndër vite.

“Ne besojmë se politika dhe biznesi nuk janë të ndara por shkojnë bashkë. Ne jemi të bindur se duhet të vazhdojmë punën tonë siç e kemi bërë deri tani. Kosova ka bërë ndryshime të mëdha. Sot keni një shtet funksional dhe një popull të talentuar. Forumi do të vazhdoj punën me Kosovën dhe do të vazhdojë të mbështesë edhe më tej Kosovën”, tha ai.

Në këtë ngjarje, kryeministri Kurti, në emër të Kosovës, në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të Kosovës në këtë forum, pranoi çmimin nga Forumi Ekonomik i Vjenës për bashkëpunim dhe kontribut të shkëlqyeshëm në zhvillimin ekonomik të nivelit nacional dhe rajonal, çmim ky që u dorëzua nga Presidenti i Forumit Ekonomik, Ambassador Victor Jackovich.

Në fjalën e tij falënderuese, kryeministri Kurti bëri thirrje edhe për më shumë bashkëpunim, ashtu që slogani i Forumit Ekonomik të Vjenës “Shkoni në jug lindje” (eng. Go South East”), të bëhet sinonim me ‘nearshoring’ perëndimor (eng. western nearshoring).

Gjatë konferencës, të pranishmëve iu drejtua edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila foli për investimet e bëra në sektorin e energjisë.

“Rruga jonë patjetër se është sfiduese por ne kemi besimin se me themele të forta për një sektor të energjisë dhe me mbështetjen e partnerëve tanë, do të jemi në gjendje të ja arrijmë. Të premten do të lansojmë ankandin e parë për energji solare që do të ndërtohet në Rahovec në tokë publike”, tha Rizvanolli.

Ajo shtoi se shpresojnë që do të ketë interesim nga një numër i madh i investitorëve të jashtëm për të krijuar një platformë mbështetëse e cila do të jete transparente dhe do të ofrojë çmimet më të mira.

“Ne kemi bërë progres dhe kemi bërë disa investime rekord në sektorin e energjisë”.

Forumi Ekonomik i Vjenës në Prishtinë, kryeministri Kurti: Investimet janë rritur, jemi entuziast për të ardhmen
|