Shkarkimi i Ekipit për Asociacionin, flet kryeministri Kurti: Përfundoi misionin dhe funksionin e vet, s’kemi më arsye ta dëgjojmë

featured

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij.

Në një adresim për shtyp pas pjesëmarrjes në konferencën për Fondin Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit “Friedrich Ebert Stiftung”, Kurti ka thënë se nuk ka më arsye të dëgjohet ky ekip, i cili ka dhënë propozimin e tij lidhur me draft-statutin e Asociacionit, më 2 maj në Bruksel.

Ai ka konsideruar se lirimi nga detyra e këtij ekipi, ka qenë vendimi më i drejtë që është marrë.

“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionon e vet, andaj ne nuk kemi më arsye ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thënë e tha në Bruksel më 2 maj. Edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, ka thënë ai.

Kujtojmë se vendimi i parë për themelimin e këtij Ekipi ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë së Hashim Thaçit. Vendimi i dytë ishte marrë në qershorin e 2016-s, gjatë qeverisjes nga Isa Mustafa, kurse i treti në shtator të 2020-s, gjatë Qeverisë së Avdullah Hotit.

LEXO më shumë:

Shkarkimi i Ekipit për Asociacionin, flet kryeministri Kurti: Përfundoi misionin dhe funksionin e vet, s’kemi më arsye ta dëgjojmë
|