Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përkujtoi 24-vjetorin e Betejës së Çabratit ku 26 luftëtarë të Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e afro 100 banorë civilë u vranë në mënyrë mizore nga makineria gjenocidale serbe e mbi 300 u rrëmbyen me dhunë.
Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:
26 luftëtarë të Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 24-vjet më parë ranë heroikisht në Betejën e Çabratit, në përpjekjen e tyre për t`u dalë në ndihmë bashkëqytetarëve të tyre, të cilët tri ditë rresht iu nënshtruan veprimeve kriminale të regjimit gjenocidal të Serbisë.
Afro 100 banorë civilë u vranë në mënyrë mizore nga makineria gjenocidale serbe, mbi 300 u rrëmbyen me dhunë, teksa lufta për mbrojtjen e pragut të shtëpisë kishte marrë hov gjithandej, afro një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë.
Dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit tonë dhe do t`i kujtojmë përherë me respekt!
I paharruar qoftë kujtimi për ta dhe martirët që u bën guri themeltar i Republikës!