Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar 24 vjetorin e “Epopesë së Çabratit”.
Sot në Gjakovë kujtohet 24-vjetori i “Epopesë së Çabratit”, në të cilën për lirinë e Kosovës janë flijuar dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit.
“Luftimet e ashpra mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe vazhduan deri më 11 maj. Në këto ditë maji të vitit 1999, në Çabrat e në rrethinat e qytetit, ranë 26 dëshmorë e më shumë se 100 martirë. Mbi 350 civilë të moshave të ndryshme u rrëmbyen me dhunë. Shumë prej tyre u mbajtën peng në burgje të ndryshme”, shkruan Kurti.
Kryeministri Kurti është shprehur se sot kujtojnë djemtë dhe vajzat që luftuan në betejën e Çabratit.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për 1022 martirët dhe 361 ushtarët dëshmorë të Gjakovës! Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, shkruan tutje kreu i ekzekutivit.